KRYEFAQJA » LAJME » Përurohet shërbimi i lëshimit të çertifikatave në konsullatat shqiptare në Itali
Përurohet shërbimi i lëshimit të çertifikatave në konsullatat shqiptare në Itali

Përurohet shërbimi i lëshimit të çertifikatave në konsullatat shqiptare në Itali

Qeveria shqiptare ka përuruar shërbimin e lëshimit të çertifikatave të gjendjes civile në të gjitha zyrat konsullore pranë ambasadës shqiptare në Romë dhe konsullatave në Bari dhe Milano. Cermonia u organizua në Konsullatën shqiptare në Milano. “Ofrimi i këtij shërbimi pranë zyrave tona konsullore në Itali përbën një hap të rëndësishëm për bashkëkombasit tanë, në ofrimin e shërbimeve sa më cilësore dhe transparente dhe sa më pak të kushtueshme” tha me këtë rast ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati. Sipas tij kjo “është shprehje e marrëdhënieve tona të shkëlqyera me Italinë si mikëpritëse e një numri të madh shtetasish shqiptarë. Ky shërbim përbën një formë moderne të asistencës ndaj qytetarëve tanë, të cilën synojmë ta shtrijmë dhe në vende të tjera”.
Ministria e Punëve të jashtme njofton se lëshimi i çertifikatave të lindjes, familjare, të martesës dhe të vdekjes për shtetasit shqiptarë, rezidentë në territorin italian, u mundësua falë bashkëpunimit me qeverinë italiane në kuadër të angazhimit të shtetit shqiptar për të reformuar shërbimet konsullore. Sipas MPJ, kjo reformë ka për objektiv kryesor përmirësimin dhe zgjerimin e gamës së shërbimeve konsullore, përshpejtimin e procedurave, si dhe uljen deri në masën 50 për qind të tarifave konsullore për shtetasit shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali.
Sipas të dhënave zyrtare të shtetit italian, në Itali jetojnë rreth 490 mijë emigrantë shqiptarë, afërsisht 100 mijë prej të cilëve kanë marrë nënshtetësinë italiane e gëzojnë të drejtën e dy nënshtetësisë.