KRYEFAQJA » LAJME » Peza zgjidh ngërçin e RTSH, Rama tek “Shih Programin”
Peza zgjidh ngërçin e RTSH, Rama tek "Shih Programin"

Peza zgjidh ngërçin e RTSH, Rama tek “Shih Programin”

Komisioni i Medias në parlamentin shqiptar ka miratuar të hënën disa ndryshimeve në ligjin “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, ndryshime të cilat synojnë të zgjidhin ngërçin dhe t’i hapin rrugë, zgjedhjes së drejtorit të ri të RTSH, media e vetme publike në Shqipëri.
Nisma është propozuar nga deputeti i PS-së, Alfred Peza dhe ka mbështetjen e 28 deputetë të maxhorancës nga PS dhe LSI. Ajo parashikon riformulimin e nenit që përcakton zgjedhjen e drejtorit të RTSH-së, duke propozuar që ky proces të kalojë në pesë raunde. Në tri raundet e para, shpallet fitues ai që merr votat 3/5-ve të anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së. Ndërsa në votimin e katërt dhe të pestë Këshilli Drejtues vendos për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm me më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të tij. Projektligji u shqyrtua me procedurë të përshpejtuar pritet të kalojë për miratim në seancë plenare, më 3 mars.  Deri tani zgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm nuk ka qenë e mundur pasi fituesi duhet të merrte minimalisht 3/5 e votave të  11 anëtarëve të KD. Procedura e ndjekur vitin e kaluar dështoi disa herë pasi fituesi nuk arrinte të merrte 7 vota.
Deputeti nismëtar gazetari Afred Peza, përmes një postimi në Fejsbuk, shkruan se hapi i hedhur në Komisionin e Medias, i hap rrugën jo vetëm zgjidhjes së krizës disa vjeçare të drejtimit të RTSH-së, por dhe fillimit të një sërë reformash të reja e të thella transformuese. “Hap shumë i rëndësishëm ky, që synon reformimin e të vetmit transmetues publik, në lartësinë e cilësisë, profesionalizmit dhe shikueshmërisë se merituar nga pronari i saj: Opinioni publik shqiptar!” shkruan deputeti Alfred Peza. Lajmi i zgjidhjes së këtij ngërçi vjen pikërisht ditën kur kreu i maxhorancës dhe kryeministrit Edi Rama, ka lajmëruar se do të marri pjesë në emisionin “Shih Programin”. Ai hyn në studiot e RTSH  pas vitesh të tëra mungese dhe kritikash të shpeshta për median e vetme publike në Shqipëri.