KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Pilotët e Air France, 4 ditë në grevë
airfrance

Pilotët e Air France, 4 ditë në grevë

Pjesa më e madhe e pilotëve të kompanisë së fluturimeve Air France, kanë nisur një grevë katër ditore, gjë që mund t’u prishë planet mijëra tifozëve që kanë prerë biletat për të ndjekur nga afër finalet e kampionatit europian të futbollit. Punonjësit e kompanisë kanë deklaruar se greva është një shenjë për të kundërshtuar reformën e punëtorëve e cila po diskutohet në parlamentin francez. Air France ka anuluar afro 30% të fluturimeve ditën e shtunë, përqindje që mund të rritet në ditët në vijim në rast se qeveria nuk do të marrë masa. Greva e pilotëve vjen një ditë pas deklaratës së Presidentit Fransua Holond, i cili paralajmëroi për ndëshkime të ashpra ndaj kujtdo që do të vinte në rrezik zhvillimin e kompeticionit më të madh futbollistik në kontinentin e vjetër. Ai bëri thirrje që punëtorët të tregohen të përgjegjshëm pasi e gjithë Europa i ka drejtuar sytë nga Franca. Greva e pilotëve pritet t’i sjellë kompanisë Air France 5 milionë euro humbje për çdo ditë, ose thënë ndryshe 20 milionë euro në total. Eksperëtët kanë përllogaritur se përgjatë 30 ditëve të ardhshme afro shtatë milionë qytetarë do të udhëtojnë drejt Francës për të ndjekur kompeticionin.