KRYEFAQJA » LAJME » Plagoset gjykatësi Gjermeni
Plagoset gjykatësi Gjermeni

Plagoset gjykatësi Gjermeni

Një gjykatës në Tiranë është paraqitur për mjekim në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, pasi rezulton me disa plagë në trup, njoftojnë burime të ndryshme informacioni. Sipas policisë, gjykatësi Artan Gjermeni nuk ka pranuar të jetë përfshirë në ndonjë ngjarje kriminale. “Jam prerë me një mjet prerës, llamarinë në ambientet e shtëpisë” citohet të ketë thënë ai. Gjendja shëndetësore e Gjermenit është jashtë rrezikut për jetën. Policia nga ana e saj ka dyshime se gjykatësi është goditur me thikë. Ajo ka nisur hetimet nëse ngjarja ka lidhje me detyrën e zotit Gjermeni si gjyqtar.
Emri i gjykatësit Gjermeni shënohet në disa procese të rëndëshëm të drejtësisë shqiptare të viteve të fundit. Ai ka gjykuar vite më parë çështjen e ish kreut të bandës së Lushnjës Aldo Bare, i dënuar me burgim të përjetshëm, dhe së fundi ka drejtuar procesin ndaj ish guvernatorit Adrian Fullani, ku ky i fundit u shpall i pafajshëm për vjedhjen e rreth 7 milionë dollarëve nga Banka e Shqipërisë. Zoti Gjermeni ka qenë më parë edhe anëtar i KLD.