KRYEFAQJA » LAJME » Plani urbanistik i Tiranës; Veliaj: Tirana policientrike me 7 qendra

Plani urbanistik i Tiranës; Veliaj: Tirana policientrike me 7 qendra

Tirana e sotme, me 1 milion banorë nuk do të ketë më një qendër të vetme. Bashkia e Tiranës prezantoi projektin e planit urbanisitk, që parashikon një kryeqytet policentrik. “Kemi bërë një punë shumë të mirë me gjelbërimin në Tiranë. Ne kemi vënë një target vetes, që çdo ditë duhet të mbillen 30-35 pemë për të pasur rreth 1000 pemë në muaj. Deri sot ne kemi kaluar ende pa mbushur 12 muaj nga dita kur u zgjodhëm, kemi mbjellë 12.500 pemë me proces-verbal në Tiranë. Por sigurisht që nuk mjafton, ndaj më vjen mirë që një nga idetë provokuese është ajo që quhet metro-bosko, ose pylli metropolitan i Tiranës. Tirana ka 1 milion banorë, ndaj duhet të rrethohet nga 1 milion pemë. Minimalisht për të bërë një diferencim dhe një rrethim të Tiranës nga ajo që quhet zona e urbanizuar, le të themi pjesa tjetër rurale. Pylli metropolitan i Tiranës do të jetë si një unazë përgjatë unazës së pestë e lidh disa nga atraksionet periferike të Tiranës, duke filluar nga parku i Dajtit, liqeni i Farkës, liqeni artificial duke vazhduar për në jug, pastaj një zonë tjetër përtej doganës’, tha Veliaj.
Kryebashkiaku parashikon qe edhe ky projekt do të ketë kundërshtarët e vet, ndërsa garanton transparencë dhe vendimmarrje të drejtë, pas konsultimeve me grupet e interesit dhe qytetarët. Sipas kryebashkiakut, plani urbanistik nuk do të ketë në fokus lejet e ndërtimit, por një zhvillim urban të qëndrueshëm të qytetit.