KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Poeti xhenovez Claudio Pozzani tur poetik nëpër Shqipëri

Poeti xhenovez Claudio Pozzani tur poetik nëpër Shqipëri

Poet, performues, shkrimtar dhe një mik i madh i Shqipërisë, Claudio Pozzani ka nisur prej mbrëmjes së djeshme turin e tij poetik nëpër Shqiperi. Ndalesa e parë ishte Instituti Italian i Kultures ku poeti xhenovez prezantoi edhe librin e tij të fundit dygjuhësh “Kjo faqe e grisur” botim i Zenit dhe i shqipëruar nga Mira Tuci. Me një publik ku mbizotëronin poetët, Pozzani interpretoi live një pjesë të poezive të tij që i dedikohen dashurisë, nënës, kujteses, poezisë dhe muzikës.

“Mendoj se Poezia është një lloj ekologjie e fjalës. Nga njëra anë pasuron të folurën e përditshme, nga ana tjetër ndihmon në krijimin e shprehive të reja dhe kodeve të reja të komunikimit. Pikërisht për këtë do të doja t’ju lexoja dy poezi që kanë të bëjnë me rezistencën edhe atëherë kur gjithçka duket e kotë” tha Claudio Pozzani.

“Jam shumë i kënaqur dhe i nderuar që kam një libër të ri në Shqipëri – shpjegon Pozzani – pasi është një vend që e dashuroj dhe ku ndihem në shtëpi. Ky libër përmban poezi të reja, por me përkthime të reja të Mira Tucit, paraqetet një lloj antologjie e vargjeve të cilat i ndiej më afër në këtë moment të jetës sime”.

Poezitë e Pozzanit janë përkthyer dhe publikuar në mbi 10 vende.  Është themeluesi dhe drejtori i Festivalit Ndërkombëtar të Poesisë së Genova-s, krijuar në vitin 1995 dhe konsideruar eventi më i rëndësishëm i poezisë në Itali. CD-ja e tij e poezisë dhe muzikës “Marshimi i hijes” ka qëndruar për më shumë se dy muaj në top 20 të radiove të pavarura italiane, hera e parë për një disk poezie. Për aktivitetet e tij kulturore dhe performancat e tij artistike, poeti dhe dramaturgu i madh spanjoll Fernando Arrabal e ka quajtur “mësues i së padukshmes, provokues ëndrrash, hajdut zjarri: zemra e tij vallëzon në kthinën e ngazëllyer”.

Gjatë tour-it prezantues, Pozzani do të prekë disa qytete, duke nisur nga Tirana , për të vazhduar më 16 Mars në Shkodër në Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi më pas, më 17 mars, në Muzeun Arkeologjik të Durrësit dhe do të kthehet në Tiranë, ditën e shtunë më 18 mars me një performancë në Galerinë Zenit të botuesit dhe poetit Krenar Zejno.