KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Polemika në Eurovizion, këngëtarja armene ngre flamurin e rajonit në konflikt të Nagorno-Karabakhsë
iveta mukuchyan, flamuri nagorno-karabakah, eurovizion konflikt, incident, armeni azerbaixhan

Polemika në Eurovizion, këngëtarja armene ngre flamurin e rajonit në konflikt të Nagorno-Karabakhsë

Iveta Mukuchyan, këngëtarja që përfaqësoi Armeninë mbrëmjen e djeshme në Eurovizion, shkaktoi polemika teksa u pa gjatë votimeve duke valëvitur flamurin e rajonit të Nagorno-Karabakh. Kur u pyet më vonë në konferencën për shtyp, Iveta tha “dua thjesht paqe në kufi”.

Rajoni Nagorno-Karabakh, midis Armenisë dhe Azerbaixhanit është shkak i shumë konflikteve të hapura midis këtyre dy vendeve. Kjo pyetje u kthye në një pikë më vete gjatë konferencës për shtyp pas mbarimit të spektaklit, ku të dyja këngëtaret, Iveta e Armenisë dhe Samra e Azerbaixhanit, u pyetën për çështje. Sa për flamurin, Iveta tha se “vendi i saj do paqe”, prandaj dhe ajo e shkroi këngën e saj “Lovewave” (valë dashurie). “Dua të shpërndaj një valë dashurie, dua që njerëzit të përqëndrohen në të”, shtoi ajo.

Iveta tha se ajo e priste këtë pyetje dhe këtë reagim dhe theksoi se nuk duhet harruar që ajo është në Eurovizion për të përfaqësuar vendin e saj, zemrën, mendimet, ndjenjat dhe gjithë emocionet e saj. “Edhe pse mbi 150 milionë njerëz po na shohin, unë po mendoj për vendlindjen time”, përfundoi ajo.

Më vonë, edhe Samra nga Azerbaixhani u pyet për këtë incident. Një gazetar azer bëri një deklaratë për veprimet e Ivetës, duke thënë: “Të ngresh flamurin e një vendi që njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbaixhanit, është totalisht kundër çdo rregulli dhe norme ligjore, dhe uroj që komiteti i Eurovizionit të marrë masa për këtë çështje”. Por nga ana tjeter, Samra dhe delegacioni azer refuzuan të bëjnë komentë për incidentin, duke kujtuar se “Eurovizioni është një festival muzikor dhe çdo gjë këtu ka të bëjë me muzikën”.