KRYEFAQJA » LAJME » Polemika, parlajmërime dhe shpresë për Reformën në Drejtësi
Polemika, parlajmërime dhe shpresë për Reformën në Drejtësi

Polemika, parlajmërime dhe shpresë për Reformën në Drejtësi

Orët e fundit lëvizjet e politikës shqiptare, por edhe asaj ndërkombëtare kanë qenë shumë intensive për të ardhmen e Reformës në Drejtësi.  Një ditë më parë kryeministri socialist Edi Rama i propozoi opozitës që ta shkruajë vetë reformën, të marrë miratimin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian dhe mazhoranca do ta votojë pa lëvizur asnjë presje.
Por kreu i PD Lulzim Basha nuk e mirepriti këtë propozim. Ai tha se më këtë qëndrim zoti Rama vijon me praktikën e përjashtimeve, ndërsa shprehet dyshues edhe mbi seriozitetin e tij. “Kjo reformë kërkon gjithëpërfshirje të gjithë shqiptarëve, të çdo faktori politik dhe opozitës, e jo përjashtime siç ka bërë deri tani dhe siç po vazhdon të bëjë Edi Rama” tha zoti Basha.
Por zoti Rama këmbënguli sërisht: “E ftoj Lulzim Bashën nga sot deri në orën 10 të datës 21 korrik, kur fillon seanca, që të më telefonojë kurdo për të më takuar, nëse ka ndonjë të re që konsiderohet e pranueshme nga SHBA dhe BE. Unë do ta pranoj dhe ne do ta votojmë pa kërkuar ndryshimin e asnjë presjeje. Ky është konsensus me firmë, të zezë mbi të bardhë” ishte ftesa e kreut socialist.
E menjëhershme ka qenë përgjigjia e kreu demokrat Basha, i cili e ka cilësuar deklaratën e fundit të kryeministrit një “hiprokizi të mesditës”. “Nëse vertetë Rama e do reformën në drejtësi, zgjidhjen e ka gati në tryezë” shkruajti zoti Basha në Fejsbuk.
Por ndërsa kryeministri Rama dhe kreu i opozitës replikojnë në distancë, kryetari parlamentit Ilir Meta është shprehur me optimizëm. Zoti Meta sugjeroi të hiqet dorë nga sipas tij historitë me fajtorë e të akuzuar dhe inkurajoi takimin e propozuar nga kryeministri Rama. “Kryetari i Kuvendit, Meta shpreh bindjen se me vullnet të mirë dhe përmes një komunikimi konstruktiv dhe pa paragjykime në çdo nivel, përfshirë edhe një takim mes Kryeministrit dhe Kryetarit të Opozitës, mund të kapërcehet me sukses dhe gjendet një zgjidhje në përputhje me rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias për të vetmen çështje që mban palët larg kompromisit” bëhet e ditur në një deklaratë të tij.
Ndërkaq komuniteti ndërkombëtar po këmbëngul në miratimin e Reformës në Drejtësi dhe duket hapur po mban anën e qeverisë. Erst Rachel, një zyrtar i lartë i ministrisë së jashtme gjermane,  ka fajsuar opozitën duke thënë se ajo po gjen pretekste për miratimin e Reformës në Drejtësi. Zoti Rachel mbështeti fort rolin e ndërkombëtarëve në proçesin e vettingut të gjytarëve, pasi sipas tij situata në Shqipëri është e rëndë dhe vetëm ndërhyrja e ndërkombëtarëve mund të garantonte verifikim me profesionalizëm të gjyqtarëve. Ai shkoi mëtej duke deklaruar se Gjermania mbështet shumicën në gjetjen e votave individuale të deputetëve nga partitë e tjera, në rast se nuk arrihet konsensus me demokratët.