KRYEFAQJA » LAJME » Polemika për datën e zgjedhjeve në Dibër
Polemika për datën e zgjedhjeve në Dibër

Polemika për datën e zgjedhjeve në Dibër

Zgjedhjet e parakohshme për kreun e Bashkisë së Dibrës, duket se janë bërë shkas për shkëmbim intensiv replikash mes presidencës, PS, por edhe PD.
Fillimisht ishte presidenca e cila njoftoi caktimin e datës 11 shtator si ditën e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, menjëherë pasi Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë pretendimet e ish kryetarit të Bashkisë së Dibrës për tu kthyer në punë.
Por PS e konsideroi si të pavlefshëm dekretin, pasi sipas saj ende nuk ishte zbardhur vendimi i kësaj gjykate. Nga ana e saj presidenca këmbënguli se “Zgjedhjet në Dibër do të mbahen në 11 shtator. Kjo datë korrespondon me afatet ligjore. Presidenti i Republikës e dekretoi brenda 48 orëve pas njoftimit nga Gjykata Kushtetuese datën e zgjedhjeve” bëri të ditur zëdhënësi.
Në faqen e internetit të gjykatës supreme, vendimi tashmë është botuar. Por PS këmbëngul se “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese hyjnë në fuqi ditën e publikimit në Fletoren Zyrtare”. Në polemika është përfshirë dhe PD e cila me anë të një deklarate ka akuzuar kreun e PS Rama se ka sulmuar presidentin Nishani për të mbrojtur Shukri Xhelilin, i cili është akuzuar dhe po gjykohet për afera seksi. “Gjykata Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën e Shukriut për të qendruar në detyrë, e njofton Presidentin me shkrim, dhe nuk ka nevojë në këtë rast ta publikojë vendimin në fletoren zyrtare” argumenton PD.
Ligji për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, në nenin 26, kapitullin “Publikimi i vendimit përfundimtar”, në pikën 1, bën të ditur se: “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare. Ato botohen në Fletoren Zyrtare dhe hyjnë në fuqi ditën e botimit të saj. Kur vendimi ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të individit, Gjykata mund të vendosë që ai të hyjë në fuqi me shpalljen e tij”, shkruhet në ligj