KRYEFAQJA » LAJME » Polemika rreth Kishës së Dhërmiut
Polemika rreth Kishës së Dhërmiut

Polemika rreth Kishës së Dhërmiut

Shëmbja orët e para të mëngjesit të 26 gushtit e një objekti që konsiderohej nga disa besimtarë si Kisha e “Shën Thanasit” në Dhërmi, ka provokuar këmbim deklaratash të ashpra mes Athinës zyrtare, Kishës Autoqefale Shqiptare dhe disa segmenteve të politikës shqiptare nga njëra anë dhe personalisht të kryeministri shqiptar Edi Rama nga ana tjetër. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke Konstandini Koutra, e ka barazuar aktin, me ato te xhihadistëve. “Shkatërrimi i vendeve të shenjta dhe atyre të kultit po bëhet së fundmi në zonën e Lindjes së Mesme dhe në Afrikën e Veriut nga xhihadistët. Sot ne pamë këtë gjë të bëhet edhe në Shqipërinë fqinje. Lidhur me këtë çështje do të informojnë menjëherë komunitetin ndërkombëtar” citohet të ketë deklaruar ai. Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. Ajo e konsideron “…shkelje e së drejtës universale të besimit dhe laicitetit të shpallur në Kushtetutë të shtetit, i cili merr përsipër në mënyrë të njëanshme prishjen e një objekti kulti ortodoks dhe në vend të tij të ngrejë një tjetër, duke marrë iniciativa dhe angazhime që nuk i takojnë dhe përbëjnë ndërhyrje nëçështjet e brendshme fetare”. Sipas deklaratës “Veprime të tilla të papërgjegjshme dhe aventureske vënë në rrezik harmoninë fetare në vend, duke krijuar konflikte midis besimeve dhe komuniteteve fetare”.
Reagime të menjëhershme ka patur edhe nga politika shqiptare. Kreu i PD Lulzim Basha ka vlerësuar se ngjarja ndodhi “Në errësirë, pa transparencë, pabesisht, Edi Rama shembi me forcën e INUK atë që konsiderohet nga komuniteti i Dhërmiut si objekt kulti. Shembja me forcë e objektit të kultit është e papranueshme dhe sidomos në shoqërinë tonë kur plagë të tilla janë ende të freskëta në ndërgjegjen e besimtarëve” citohet zoti Basha. Partia e minoritetit grek Bashkimi për të Drejtat e Njeriut e cilësoi prishjen e kishë në Dhërmi një vepër të pastër të deputetit socialist Koço Kokëdhima.
Kryeministri shqiptar Edi Rama nga ana e tij ka zgjedhur rrjetin social Fejsbuk për të reaguar, ndonëse gjuha e përdorur përmban tone të forta. “Ortodoksët shqiptarë janë qytetarë shqiptarë që kanë shtetin e tyre dhe hapësira e ushtrimit të besimit të tyre nuk është protektorat i asnjë shteti tjetër. Ashtu sikundër Kisha Autoqefale Shqiptare, çdo problem që ka pasur, ka apo do të ketë me shtetin, e ka trajtuar, e trajton apo do ta trajtojë me shtetin shqiptar e me institucionet e tij. Prandaj, çdo ndërhyrje në këtë mes, është ndërhyrje e papranueshme në punët e brendshme të Shqipërisë” shkruan kryeministri Rama.
Ndërkaq reagimi ndaj kreut të opozitës Lulzim Basha ishte gati me tone gati fyese. “Eshtë e pabesueshme që Partia Demokratike, në injorancë të plotë të historisë, aktualitetit dhe të nesërmes së projektuar të kishës së vjetër të Dhërmiut, t’i bashkohet një kujeje të pabesueshme të kujt u vu në mbrojtje të ngrehinës skandaloze të së ashtuquajtur kishë; një ngrehinë e ndërtuar jo nga kisha, po nga brutaliteti individual i viteve ’90 mbi një monument kulture, të cilën në asnjë lloj konkursi për t’a gjetur se çfarë është, nuk do të dilte dot njeri në botë që të thoshte është kishë” shkruan ndër të tjera kryeministri Edi Rama. Një ditë më parë zoti Rama, lajmëroi “rilindje” për kishën e vjetër të Dhërmiut. Në një postim në rrjetin social Fejsbuk, ai shkruaajti: “Kisha e vjetër e Dhërmiut që do rilindë në emër të trashëgimisë kombëtare dhe “garazhi” pa leje që e quajnë kishë!!!”.