KRYEFAQJA » LAJME » Policia britanike i komunikon Beketit urdhërin për ekstradimin në Shqipëri
Policia britanike i komunikon Beketit urdhërin për ekstradimin në Shqipëri

Policia britanike i komunikon Beketit urdhërin për ekstradimin në Shqipëri

Biznesmeni italian, Francesko Beketi është kontaktuar nga policia britanike dhe i është komunikuar ekstradimi i tij për në Shqipëri. Ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë, por lajmi është bërë i ditur vetëm të martën nga burime mediatike dhe nuk konfirmohet zyrtarisht. Sipas mediave ai është thirrur në polici në bazë të urdhrit ndërkombëtar të kërkimit të lëshuar nga prokuroria dhe policia shqiptare. Beketi akuzohet për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “krijimi i skemave mashtruese me qëllim përfitimi të paligjshëm të parave” dhe për “pastrim parash” me vlera të mëdha. Gjykata britanike ka vendosur ekstradimin e tij në drejtim të Shqipërisë. Gjithnjë sipas mediave Beketi nuk është arrestuar, por është lënë i lirë pasi i është komunikuar vendimi për ekstradim, me detyrimin që të kthehet në Shqipëri brenda 15 ditëve të para të muajit dhjetor. Në rast të kundërt ai do të kthehet forcërisht nga autoritetet britanike.
Prokuroria shqiptare këmbëngul se ka prova sipas të cilave biznesmeni italian ka kryer rreth 770 milionë lekë evazion në dëm të shtetit shqiptar. Në qendër është historia e hidrocentralit ende të pandërtuar të Kalivaçit dhe disa shoqëri të zotëruara nga Beketi. Deri tani janë sekuestruar  60 për qind e aksioneve të shoqërisë mediatike “AgonSet”, shoqëritë “Energji”, “Cable System”, “400KV”, “Fuqi”, si dhe janë bllokuar disa llogari bankare të Beketit, familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij italianë dhe shqiptarë.