KRYEFAQJA » LAJME » Policia e Maqedonisë përdori gazin lotsjellës dhe granata me tym për të shpërndarë refugjatët
refugjatet ne kufirin maqedoni greqi

Policia e Maqedonisë përdori gazin lotsjellës dhe granata me tym për të shpërndarë refugjatët

Policia e Maqedonisë përdori gazin lotsjellës dhe granata me tym për të shpërndarë refugjatët, të cilët përpiqeshin të kalonin me forcë nga Greqia. Emigrantet , të zemëruar me pritjet e gjata në kufi, u munduan të shkatërronin gardhin me tela me gjëmba të ngritur nga ushtria maqedonase. Duke thirrur “Hapni kufijtë”, ata gjuajtën me gurë kundër policëve maqedonas. Skena të tilla duhet të priten edhe gjate ditëve në vijim, pasi Greqia ka paralajmëruar se numri i emigrantëve të bllokuar në territorin e saj mund të trefishohet gjatë javëve të ardhshme, duke arritur në 70 mijë vetë, për shkak të mbylljes së kufijve në vendet e Ballkanit. “Vlerësojmë se do të kemi një numër të njerëzve të bllokuar në vendin tonë, që do të jetë ndërmjet 50 dhe 70 mijë”, tha ministri i emigracionit , Janis Muzalas, duke shtuar se kjo dukuri do të vihet re brenda muajit mars. Sipas tij, tani në Greqi gjenden 22 mijë emigrantë. Sllovenia, Kroacia, Serbia dhe Maqedonia, kanë arritur marrëveshje për kufizimin në 580 persona që mund të hyjnë gjatë një dite në territorin e tyre. Por me dyndjen e refugjatëve dhe emigrantëve që vazhdon në brigjet greke, në shifrat e 2 apo 3 mijë njerëzve në ditë, kuota e caktuar nga vendet e ballkanit krijon vështirësi të mëdha për Athinën.