KRYEFAQJA » LAJME » Policia nis operacion masiv antikanabis në Pult
Policia nis operacion masiv antikanabis në Pult

Policia nis operacion masiv antikanabis në Pult

Rreth 400 forca të policisë së Shkodrës si dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, me 60 mjete, kanë nisur që në orët e para të mëngjesit të 1 shtatorit, një operacion të gjerë anti-kanabis në zonën e Pultit në Shkodër, në veri të Shqipërisë, njoftojnë burime policore. Sipas tyre deri në orë 9 janë asgjesuar rreth 4 mijë bimë narkotike. Më parë zona është vëzhguar nga ajri, ku janë konstatuar dhe parcelat e mbjella.
Zona e Pultit është e njohur jo vetëm për kultivimin e bimëve narkotike, por edhe kundërshtimin e banorëve ndaj policisë. Një vit më parë gjatë operacionit antikanabis të policisë u sulmua me armë dhe u dëmtua helikopteri me të cilin po kryhej operacioni. Në atë kohë policia shpalli në kërkim 10 personat të cilësuar si pjestarë të “grupit të zjarrit”.
Operacioni në Pult, është pjesë e operacionit antikanabis të nisur në zonën e Dukagjinit në mes të muajit gusht të këtij viti. Bilanci i tij është zbulimi i 313 parcelave dhe asgjësimi i 136 468 rrënjëve bimë narkotike.