KRYEFAQJA » LAJME » Policia shqiptare do të përfshihet në veprimtaritë e Europol-it
Policia shqiptare do të përfshihet në vepritaritë e Europol

Policia shqiptare do të përfshihet në veprimtaritë e Europol-it

Policia Shqiptare ka marrë vlerësime maksimale nga Europol, organizata e Bashkimit Europian për Zbatimin e Ligjit. “Partneriteti i Europolit me Shqipërinë është një nga gurët e çmuar “milestone” të organizatës që unë drejtoj dhe jam krenar për këtë pasi ka qenë firmëtar i marrëveshjes operacionale dhe strategjike me Shqipërinë” tha Drejtori i Europolit Rob Wainwright gjatë një takimi në selinë e organizatës me kreun e policisë shqiptare Haki Çako. “Bashkëpunimi me Shqipërinë është në nivel të shkëlqyer” shtoi më tej ai. Zoti Wainwright bëri ndërkohë të ditur se “Europoli do të jetë i hapur dhe do të përfshijë Policinë Shqiptare në të gjitha veprimtaritë si shprehje e besimit qe tashme Policia e Shtetit ka fituar tek partnerët ndërkombëtarë”. “Pjesëmarrja e Policisë së Shtetit në pikat fokale të Europolit konsiderohet me rëndësi të madhe dhe një prioritet për Zyrën Kombëtare Europol” tha drejtori i Europolit Rob Wainwright.
Për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Shqiptare Haki Çako “Asistenca e Europolit në përmirësimin e analizës kriminale në përgjithësi dhe asaj SOCTA në veçanti si edhe përfshirja e Policisë së Shtetit në hetimet e përbashkëta është një prioritet i Policisë së Shtetit”.
Zoti Wainwright dhe Çako, gjatë takimit trajtuan prioritetet e dy organizatave. Krimi i organizuar, terrorizmi dhe format e tij, si dhe migracioni i paligjshëm, ishin ndër më kryesoret.
Europoli dhe Policia e Shtetit kanë nënshkruar një marrëveshje operacionale dhe strategjike që në dhjetorin e vitit 2013. Që nga ajo kohë e deri tani është rritur ndjeshëm shkëmbimi i informacioneve dhe pjesmarrja në shumë operacione të përbashkëta.