KRYEFAQJA » LAJME » Policia shqiptare me sistem elektronik për furnizimin me karburant
Policia shqiptare me sistem elektronik për furnizimin me karburant

Policia shqiptare me sistem elektronik për furnizimin me karburant

Qeveria shqiptare po synon të minimizojë abuzimet me fondet e buxhetit të shtetit. Të mërkurën është prezantuar projekti i kartave elektronike për furnizimin  me karburant  të mjeteve të ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Sipas këtij sistemi arrihet të kontrollohet sasia e karburantit që konsumon çdo makinë policie. “I japim fund vjedhjes së praktikës 25 vjeçare të vjedhjes jo vetëm në policinë e shtetit. Policia e shtetit falë lidershipit te ministrit është sektor lider ne revolucionin teknologjik” tha me këtë rast kryeministri Edi Rama. Ndërsa ministri Saimir Tahiri bëri të ditur se gjatë tre muajve që u aplikua projekti pilo, janë kursyer 100 mijë litra e konvertuar në para, gati 150 milionë lekë. Sipas tij “Asnjë punonjës policie në këto tre muaj nuk është ankuar se s’ka karburant. Përmes dixhitalizimit jemi në rrugën e duhur për ti kursyer paratë e shqiptarëve dhe investuar aty ku ka nevojë duke garantuar shërbimin e pacënueshëm dhe zero korrupsion me karburantin në polcinë e shtetit” premtoi ministri Tahiri.
Mungesa e karburantit në kryerjen e operacioneve policore, ka qenë ndër ankesat kryesore të policisë shqiptare prej shumë kohësh. Jo rrallë herë fotot nga operacionet e dështuara të policisë për mungesë karburanti, ishin bërë objekte humori në rrjetet sociale.