KRYEFAQJA » LAJME » Politika humb kontrollin mbi drejtësinë
Politika humb kontrollin mbi drejtësinë

Politika humb kontrollin mbi drejtësinë

Politika humbet kontrollin në përzgjedhjen e njerëzve të drejtësisë për shkak të reformës së votuar në parlament, ndërsa vetë njerëzit e gjyqësorit do të duhet të kalojnë në filtra të fortë kontrolli për të siguruar vendin në piramidën e drejtësisë.

Ndryshimet kushtetuese i japin fund praktikës së ndjekur deri tani, në përzgjedhjen e anëtarëve të gjykatës së lartë, në emërimin e anëtarëve në këshillin e lartë të drejtësisë, apo në emërimin e prokurorit të përgjithshëm. Ndryshimet kushtetuese përveç ngritjes së strukturave të reja kontrolluese në drejtësi, arrijnë të shmangin për shkak të formulave të reja, emërimet me rrënjë politike duke ia lënë pjesën më të madhe të vendimarrjes vetë njerëzve të gjyqësorit.

Prokurori i përgjithshëm sipas ndryshimeve të reja kushtetutese nuk do të emërohet më nga presidenti, dhe nuk do të votohet me një shumicë të thjeshtë në kuvend. Procedura e re detyron parlamentin që mes tre kandidatëve të përzgjedhë vetëm atë që siguron 84 vota.

Ndërsa Anëtaret e gjykatës së lartë të cilët emëroheshin nga presidenti me pëlqimin e kuvendit, tanimë do të emërohen nga presidenti i republikës vetëm me propozim të këshillit të lartë gjyqësor, duke i hequr parlamentit mundësinë e ndërhyrjes në proces.

Për këshillin e lartë të drejtësisë që do të quhet këshilli i lartë gjyqësor, parashikohen një sërë ndryshimesh. Qeverinë e re të gjyqësorit nuk do e drejtoje më presidenti, në këshill nuk do të jetë më anëtar ministri i drejtësisë çka do të heqë mundësinë e ndikimit të ekzekutivit në vendimarrjet gjyqësore. Ata që do të jenë pjesë e këtij këshilli nuk do të kenë të drejtë ta ushtrojnë detyrën e gjyqtarit nëse përzgjidhen, çka do të shmangë konfliktin e interesit që krijohet kur gjyqtarit i duhet të jetë edhe në gjykatë edhe në instancat që kontrollojnë gjykatën.