KRYEFAQJA » LAJME » Politika shqiptare po ndjek me vemendje situatën në Turqi
Politika shqiptare po ndjek me vemendje situatën në Turqi

Politika shqiptare po ndjek me vemendje situatën në Turqi

Tirana zyrtare po i ndjek me vëmendje zhvillimet në Turqi, të cilën e konsideron një fuqi të madhe në rajonin e Ballkanit.
Kryeministri shqiptar Edi Rama ka reaguar të shtunën në mëngjes me një mesazh në Fejsbuk. “I lumtur për popullin vëlla të Turqisë dhe mikun e çmuar Presidentin Erdogan për daljen me sukses të plotë nga një natë tejet e vështirë!” shkruan zoti Rama.
Presidenti Bujar Nishani i dënoi me forcë “…aktet dhe tentativa për marrjen e pushtetit përmes dhunës dhe shpreh mbështetjen e plotë për Presidentin Erdogan, Qeverinë dhe rendin kushtetues në Turqi” bëhet e ditur në njoftimin ë lëshuar nga presidenca shqiptare.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka shprehur solidaritetin e tij me popullin turk dhe autoritetet legjitime te vendit duke u shprehur se “Shmangia e gjakderdhjes dhe rikthimi i rendit kushtetues janë tejet të rëndësishme për stabilitetin e Turqisë dhe të gjithë rajonit”.
Edhe Partia Demokratike e opozitës në një deklaratë të saj shënon se “… ka ndjekur me shqetësim zhvillimet e orëve të fundit në Turqi. PD shpreh mbështetjen për autoritetet e zgjedhura demokratike ne Turqi, demokracinë dhe shtetin ligjor”. Në deklaratën e PD thuhet gjithashtu se ruajtja e rendit kushtetues dhe rikthimi i paqes dhe sigurisë publike janë në interes të të gjithë qytetarëve të Turqisë dhe miqve e partnerëve të saj.