KRYEFAQJA » LAJME » “Porta Saber Albania” tërhiqet nga konçesioni i targave me çip
“Porta Saber Albania” tërhiqet nga konçesioni i targave me çip

“Porta Saber Albania” tërhiqet nga konçesioni i targave me çip

Projekti për dhënien me konçension për paisjen me çip të targave të makinave nuk do të mund të realizohet të paktën edhe për disa kohë. Kompania shqiptaro-portugeze “Porta Saber Albania” është tërhequr nga kërkesa që i kishte paraqitur Ministrisë së Transporteve. Burime nga kjo ministri bëjnë të ditur se kompania ka hequr dorë zyrtarisht nga kërkesa, ndërsa duheshin edhe pak ditë që komisioni i vlerësimit të ofertave të jepte opinionin përfundimtar mbi të.
Ky koncesion i kërkuar nga kompania që në shtator të 2015, parashikonte që brenda tre vitesh të paiseshin me targa me çip 360 mijë mjete që rezultojnë të regjistruara në Ministrinë e Transporteve. Pas kësaj periudhe kompania parashikonte të instalonte çdo vit mesatarisht 40 mijë çipe për makinat e reja që do hynin në qarkullim. Kostoja për çdo targë me çip do të ishte 48 euro ne vit.  Ndërkaq u përfol se vlera totale e këtij konçesioni do të ishte 95 milionë euro.
Ky konçension që në fillim ishte kundërshtuar nga qytetarët për dy pika kryesore, koston shtesë që do të kishin të gjithë ata që zotërojnë një makine dhe mbi të gjitha frika për shkeljen e privatësisë. Megjithatë disa specialistë mendojnë se prania e tagave me çip mund të sjelli uljen e ndjeshme të aksidenteve në rrugë, të disiplinojë pagimin e detyrimeve periodike të pronarëve të makinave, si dhe shumë lehtësi të tjera.