KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Pranvera Frankofone nis me poezi

Pranvera Frankofone nis me poezi

Ajo e cilëson Shqipërinë një atdhe të poezisë. Është poetja e famshme franceze Zabo e cila me spektaklin e saj poetik starton Pranverën Frankofone në Shqipëri. Një grup poetësh shqiptare si Tupja, Luljeta Lleshanaku etj janë përfshirë në atë që ajo e cilëson “pranvera e mundësive” duke bërë kështu një miksim të rrallë kulturash poetike.

“Në poezitë që kam lexuar nga poezia shqipe kam gjetur një hapje dhe një humanitet që është i rrallë e unë besoj që poezia ka një mision në raportet njerëzore dhe një hapje ndaj botës. Në tetor unë do të organizoj një spektakël të cilin e quaj momenti shqiptar ku do të pres të gjithë poetët shqiptarë me të cilët po punoj këtu” tha poetja e famshme franceze Zabo.

Me mbrëmjet e freskëta nga Zabo nis edhe Pranvera e Frankofonisë në Tiranë me një kalendar të ngjeshur aktivitetesh jo vetëm kulturore që kulmojnë me poezinë, teatrin, kinematografinë por edhe me forume ekonomike e deri te shijim i rrallë i gastronomisë franceze. Pranvera frankofone nis me 13 deri me 28 mars.