KRYEFAQJA » LAJME » Presidencialet e FIFA-s: Amerika e Jugut do të votojë për Infantino
Presidencialet e FIFA-s: Amerika e Jugut do të votojë për Infantino

Presidencialet e FIFA-s: Amerika e Jugut do të votojë për Infantino

Dhjetë federatat bija të Konfederatës Amerikanojugore të Futbollit (CONMEBOL) do të votojë sëbashku zviceranin Gianni Infantino për president të FIFA-s, këtë lajm e parapriu presidenti i sapozgjedhur i Federatës Boliviane të Futbollit (FBF), Rolando Jesús López Herbas. “López Herbas konfirmoi se vota e Bolivisë do t’i bashkohet nëntë votave të tjera të federatave bija të CONMEBOL për kandidatin Infantino, kur të votohet, me 26 shkurt 2016, për zgjedhjen e presidentit të FIFA-s”, shpjegoi FBF me anë të një komunikate.

López Herbas ka marrë pjesë këtë javë në Kongresin e CONMEBOL që ka zgjedhur me 26 janar 2016 presidentin e ri, paraguajanin Alejandro Domínguez. “Është një vendim i njëzëshëm, propozimi i tij na ka bindur”, tha López Herbas. Domínguez tha të martën se CONMEBOL do të votonte sëbashku për presidentin e FIFA-s, por nuk kishte thënë për cilin kandidat do votonin. “Do të votojmë sëbashku për atë që na levërdis për projektin e CONMEBOL”, tha Domínguez gjatë konferencës për shtyp pas marrjes së detyrës si president i CONMEBOL.

Në Kongresin e Jashtëzakonshëm të CONMEBOL që u mbajt në Luke të Paraguajt, ku është selia e kësaj Konfederate, në periferi të kryeqytetit Asuncion, kanë marrë pjesë si sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Gianni Infantino ashtu edhe princi jordanez Ali bin Al Hussein, kandidatë për president të FIFA-s, duke paraqitur projektin e tyre.

Me datë 22 janar 2016 Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s pohoi dhe miratoi njëzëri kandidaturën e zviceranit Gianni Infantino për president të FIFA-s. Edhe një pjesë e mirë e federatave kombëtare bija të UEFA-s kanë shprehur mbështetjen e tyre për zviceranin dhe do ta komunikojnë zyrtarisht vendimin e tyre në çastin e duhur, duke respektuar procedurat e tyre të brendshme.

Gianni Infantino ka hyrë në garën për president të organit qeverisës botëror të futbollit me 26 tetor 2015, me mbështetjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.