KRYEFAQJA » LAJME » Presidencialet e FIFA-s: Infantino kandidat në vend të Platini?
Kandidat?

Presidencialet e FIFA-s: Infantino kandidat në vend të Platini?

Bëhet e ditur se Gianni Infantino, që tani mbulon detyrën e sekretarit të përgjithshëm të UEFA-s, do të jetë “plani B” i Federatës Europiane në rast se Michel Platini do të detyrohet të heqë dorë përfundimisht nga kandidatura për president të FIFA-s. Vendimi, që në orët e ardhshme do të bëhet zyrtare, i është bërë i ditur federatave bija nga vetë UEFA.

Kandidatura e italo-zviceranit, që mbështetet nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Europiane, i jep garanci UEFA-s që të ketë një kandidat të saj në zgjedhjet prasidenciale të FIFA-s edhe në rastin e një eliminimi përfundimtar të Platini-së. Francezi është pezulluar përkohësisht për 90 ditë nga Komiteti Etik i FIFA-s rreth hetimit që po bëhet për pagesën e 2 milionë frangave zvicerane në drejtim të tij në 2011-ën për punën që kishte bërë për FIFA-n nga viti 1999 deri në vitin 2002.

Në rast të eliminimit përfundimtar, në fakt Platini do të dëbohet nga gara për kolltukun më të madhe të federatës ndërkombëtare dhe në këtë rast UEFA do të ketë gati “planin B”, përfaqësimin nga Infantino. Por nëse Platini do të dalë i pafajshëm, Infantino do të tërhiqet. Kjo është një lëvizje që do t’i garantonte UEFA-s një peshë më të madhe zgjedhore para vorimit për president të FIFA-s, i caktuar për t’u mbajtur me 26 shkurt 2016.