KRYEFAQJA » LAJME » Presidenti i BB Kim vlerëson lidershipin e Ramës
Presidenti i BB Kim vlerëson lidershipin e Ramës

Presidenti i BB Kim vlerëson lidershipin e Ramës

Banka Botërore vlerëson pozitivisht zhvillimet në Shqipëri. Sipas zyrës së shtypit të qeverisë shqiptare, gjatë një takimi mes presidentit të BB Jim Yong Kim dhe kryeministrit Edi Rama, i cili gjendet për një vizitë zyrtare në Washington, presidenti Kim u shpreh me tone shumë optimiste për ecurinë e reformave në Shqipëri dhe rrugën e bashkëpunimit në rajon. Veçanërisht presidenti Kim dha konsideratat me të larta për punën e qeverisë shqiptare dhe lidershipin e Kryeministrit Rama, në atë që ai e quajti fazë ndryshimesh historike për Shqipërinë dhe rajonin. Duke iu referuar takimit me Kancelaren gjermane Merkel, Presidenti i Bankës Botërore theksoi opinionin e zonjës Merkel për momentin pozitiv që po kalon Ballkani Perëndimor dhe rolin e qeverisë shqiptare dhe Kryeministrit Rama në zhvillimin e rajonit.
Kryeministri Rama e falenderoi Presidentin Kim për punën e pakursyer të Bankës Botërore në Shqipëri, si edhe theksoi nevojën që Banka Botërore të jete katalizator i zhvillimit të rajonit të Europës Juglindore. Kryeministri Rama u shpreh se bashkëpunimi rajonal është kritik për zhvillimin e qëndrueshëm të Ballkanit, duke nënvizuar faktin se e ardhmja e rajonit i përket Bashkimit Europian, përfundon njoftimi i zyrës së shtypit të kryeministrit shqiptar.