KRYEFAQJA » LAJME » Presidenti i Maqedonisë Ivanov akuzon të gjithë ata që sulmojnë VMRO-në
Gjorge-Ivanov

Presidenti i Maqedonisë Ivanov akuzon të gjithë ata që sulmojnë VMRO-në

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov ka akuzuar opozitën, sektorin civil, por edhe struktura nga jashtë për tentim të destabilizimit të vendit, por që sipas tij kanë dështuar falë politikave shtetërore që janë përballur me sukses me elementë të tillë, në kohën kur Maqedonia po përballej me krizën e migrantëve në pjesën jugore të vendit. Në një paraqitje të jashtëzakonshme pas dështimit të votës së mosbesimit në Kuvend, nga ana e opozitës, Presidenti Ivanov tha se dy liderët e partive politike, ai i Lidhjes Social-Demokrate të opozitës, Zoran Zaev dhe i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti përmes politikave destruktive dhe mos njohjes së tij si president, kanë punuar kundër interesave shtetërore. “Bëhet fjalë për politikanë të papërgjegjshëm që nuk duhet të kenë vend në skenën politike”, ka thënë Ivanov duke mbrojtur vendimin e tij për faljen e zyrtarëve të partive në pushtet që po hetohen nga prokuroria speciale për vepra të rënda penale. Kreu i shtetit të fjalimin e tij drejtoi akuza edhe ndaj kësaj prokurorie duke e akuzuar për veprime selektive. Presidenti Ivanov ka dënuar edhe veprimet e sektorit civil që po protestojnë kundër tij dhe krizës politike duke i akuzuar për vandalizëm. Ivanov ka kritikuar edhe qasjen e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Maqedonisë duke kërkuar nga ajo zhbllokimin e procesit të integrimit euroatlantik.