KRYEFAQJA » LAJME » Presidenti kthen ligjin e kamerave, shkel privatësinë
Presidenti kthen ligjin e kamerave, shkel privatësinë

Presidenti kthen ligjin e kamerave, shkel privatësinë

Presidenti Bujar Nishani, vazhdon të jetë një kundërshtar i fortë i ligjeve të hartuara nga qeveria Rama dhe të miratuara nga maxhoranca e majtë. Të hënën ai ktheu për rishqyrtim ligjin “Për masat shtesë të sigurisë publike”, i miratuar pak kohë më parë nga parlamenti. Ligji synon marrjen e masave shtesë të sigurisë publike nga subjektet publike dhe private, veprimtaria e të cilave vlerësohet se përbën burim rreziku të shtuar për sigurinë. Ai synon gjithshtu të sigurojë bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit dhe këtyre subjekteve, me synim mbrojtjen e jetës, pronës, dhe garantimin e sigurisë publike.
Por presidenti Nishani ka paraqitur një sërë arsyesh që e kanë shtyrë atë t’ia kthejë ligjin për shqyrtim parlamentit. Në thelb sipas zotit Nishani, ligji cënon të drejtat për respektimin e jetës private dhe familjare e garantuar nga neni 35 të Kushtetutës, si dhe bie ndesh me ligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Për presidentin e republikës, ligji ka përplasje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Konventën Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe jurisprudencën përkatëse të detyrueshme në Republikën e Shqipërisë.
Ligji ishte kundërshtuar edhe nga opozita e djathtë e cila i kishte bërë thirrje zotit Nishani mos ta dekretonte. Por pak ditë më parë me rastin e sulmeve terroriste në Belgjikë, ministri i brendshëm Saimir Tahiri i kërkoi zotit Nishani miratimin sa më shpejt të këtij ligji. “Unë preferoj të kemi një shkollë fëmijësh shumë më të sigurtë, qoftë të pajisur edhe me kamera, se sa të dëgjojë ata që dalin dhe kundërshtojnë dhe bëjnë thirrje Presidentit të Republikës të mos dekretojë ligjin apo opozitën që nuk e voton ligjin, që thotë: jo nuk na duhen kamerat, se kemi merak se na filmohen kalamajtë. Unë preferoj që kalamajtë të jenë të sigurt se sa mos të jenë të sigurt, por të jenë të pa filmuar” tha me këtë rast ministri i brenshëm Saimir Tahiri.