KRYEFAQJA » LAJME » Presidenti Nishani dekoron figura të diasporës shqiptare
Presidenti Nishani dekoron figura të diasporës shqiptare

Presidenti Nishani dekoron figura të diasporës shqiptare

Presidenti Bujar Nishani ka vlerësuar rolin dhe kontributin e diasporës shqiptare në Amerikë për evidentimin dhe ruajtjen e vlerave dhe traditave të shqiptarëve. Gjatë një takimi në Manhatan me shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zoti Nishani tha se kontributi i shqiptarëve të Amerikës është i veçantë i pazëvendësueshëm dhe që meriton mirënjohjen e shtetit shqiptar. “Çështja kombëtare nuk është retorikë, por një kolonë thelbësore e identiteti tonë, dhe për ju në këtë vend të madh e të lirë ka qenë e mundur të punohet e të merren rezultate për çështjen kombëtare. Prandaj ne duhet të frymëzohemi, të ruajmë identitetin tonë dhe para të gjithash me krenari origjinën tonë: JAM SHQIPTAR!” tha zoti Nishani. Presidenti shfrytëzoi rastin të shpërndante disa dekorata për personalitete të diasporës shqiptare. Ai vlerësoi kineastin Stan Dragotin me dekoratën “Nderi i Kombit”, dhe këngëtarin Gëzim Nika me titullin “Mjeshtër i Madh”. Titulli “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut i është dhënë zotit Musli Mulosmanaj, zonjës Lisa Milicaj si dhe Lui Fundos. Gjatë takimit me shqiptarët e Amerikës në Manhatan, presidenti Nishani gjithashtu ka dekoruar edhe zotin Vehbi Bajrami, Frank Shkreli si dhe profesorin Sami Repishtin.