KRYEFAQJA » LAJME » Presidenti Nishani fal Nazime Vishën
Presidenti Nishani fal Nazmie Vishën

Presidenti Nishani fal Nazime Vishën

Presidenti Bujar Nishani ka dekretuar faljen e Nazime Vishës, e dënuar për vrasjen e ish tutorit të saj në vitin 2012. Duke argumentuar vendimin zoti Nishani shprehet se, “falja është një akt human i jashtëzakonshëm mëshire, dhe jepet në rastet kur nuk ekzistojnë kriteret ndaluese, e kur dënimi i vuajtur ka arritur qëllimin edukues dhe riintegrues”. “Tek kërkuesja vlerësova gjithashtu pendimin e thellë, sjelljen e saj si e dënuar, arsyetimin ligjor dhe propozimin e Ministrit të Drejtësisë, si dhe çdo rrethanë tjetër të veçantë që justifikon faljen” shkruan më tej zoti Nishani.
Historia e Nazime Vishës nis në gusht të vitit 2012, kur opinioni shqiptar u trondit nga një ngjarje e rëndë. Në një fshat në afërsi të Tiranës, Nazimja, në atë kohë, 18 vjeçare, vrau një 45 vjeçar, baba i pesë fëmijve. Fëmijë e një familjeje të varfër, Nazmia nuk e quante veten vrasëse, por viktimë të njeriut të cilin ajo e konsideronte si përdhunuesin dhe shfrytëzuesin e saj prej 4 vitesh. Mes opinioneve dhe reagimeve të shumta për këtë ngjarje, gjykata e dënoi Nazime Vishën me 10 vite heqje lirie.
Afro katër vite më vonë ministri i drejtësisë Ylli Manjani i ka dërguar Presidentit të Republikës propozimin për faljen e të dënuarës Nazime Visha. Sipas propozimit të zotit Manjani, kriteret ligjore për faljen e këtij rasti janë përmbushur.