KRYEFAQJA » LAJME » Presidenti Nishani, interviste ekskluzive për Radio Televizionin Shqiptar

Presidenti Nishani, interviste ekskluzive për Radio Televizionin Shqiptar

Z.President, sapo përfunduat një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të shtrirë në Nju Jork, Uashington dhe Çikago. Si do ta vlerësoni këtë vizitë në atë çfarë përftuat dhe përcollët përmes mesazheve?

Për mua ishte padyshim një kënaqësi që, në emrin e vendit tim dhe në emrin e Republikës së Shqipërisë, të prezantoja arritjet, kontributet dhe padyshim, gadishmërinë e mëtejshme të Shqipërisë për të qënë e përfshirë në frymën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kur je në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ke mundësinë të takosh një numër personalitetesh botërore duke nisur me Sekratarin e Përgjithshëm, të cilit i shpreha vlerësimin në emër të vendit tim, në emër të popullit Shqiptar për kontributin që ai ka dhënë gjatë gjithë kohës në të dy mandatet e tij si Sekretar i Përgjithshëm në udhëheqjen e kësaj organizatë të rëndësishme botërore, por një takim të veçantë pata edhe në takimin më presidentin e Polonisë, me presidenten kroate dhe kryeministrin e Kosovës, me të cilët u fokusuam jo vetëm në bashkëpunimin shumë-planësh në kuadrin e organizatave ndërkombëtare, posaçërisht të Kombeve të Bashkuara, por më së shumti në çështjet dypalëshe. Kur je në Shtetet e Bashkuara dhe në Nju Jork, nuk mundesh kurrë të mënjanosh takimet me komunitetet dhe diasporën shqiptare, me të cilët gjeta edhe një herë rastin ta përgëzoj për përpjekjet e jashtëzakonshme që bën për të ruajtur identitetin kombëtar, për të qënë e angazhuar në çështjen kombëtare shqiptare, por u kënaqa maksimalisht nga fakti që pashë një diasporë edhe më të organizuar, edhe më të arrirë në kontekstin e prezencës, pozicionit dhe statusit të tyre në shoqërine amerikane.

Opinioni publik dhe politika janë përfshirë në debate për disa çështje. Njëra prej tyre është ligji për vettingun. Mazhoranca e kaloi me votën e saj. Ju nuk e dekretuat, por e latë që të kalojë pas afateve kushtetuese. Ndërkohe, Partia Demokratike ka thënë se do ta çojë në Kushtetuese. Sa e dëmton kjo situatë nisjen e zbatimit të Reformës në Drejtësi?

Çdo forcë politike, çdo aktor i shoqërisë, në rradhë të parë ka të drejtë të ushtrojë të gjithë të drejtat kushtetuese të tij. Ndaj unë nuk mund të gjykoj as të drejtën dhe as ekzekutimin e nje të drejte kushtetuese nga një aktor i shoqërisë shqiptare, kryesisht kur vjen nga nje parti kryesore politike në vend siç është Partia Demokratike më e madhe e opozitës. Janë çështje që i takojnë tërësisht vendimmarrjes dhe sovranitetit të partive politike në të cilët presidenti i Republikes nuk mund të ndërhyjë, nuk mund të ndikojë, nuk mund të gjykojë dhe nuk mund të vlerësojë, sepse raporti midis aktorëve politikë është raport i tyre me shoqërinë shqiptare. Arritja e konsensusit në ndryshimet kushtetuese ishte baza solide e cila do të hapte rrugën, do të garantonte një proces implementimi të këtyre ndryshimeve kushtetuese, qoftë përmes zbatimit të lëgjistlacionit, qoftë edhe përmes krijimit të instrumentave që parashikohen të ngrihen për zbatimin e mëtejshëm të të gjitha hapave të parashikuara në ndryshimet kushtetuese apo në ligjet dhe paketën ligjore që parashikohet më tej.

Çështjet e interpretimit kushtetues mbeten padyshim jo vetëm çështja e të drejtës kushtetuese, por edhe gjykimi i instrumentave përkatës, siç është Gjykata Kushtetuese apo Gjykata e të Drejtave të Njeriut, të cilat janë ato që e vlerësojnë nga pikpamja profesionale kushtetueshmërinë respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Ajo që unë kam konstatuar dhe kam mbajtur qëndrimin tim konkret përmes mos-shprehjes dhe mos-dekretimit të ligjit ka qënë e fokusuar në çështje e nene të caktuara të ligjti përkatës, të cilat nuk i gjeja korrekte, posaçërisht në mënyrën se si trajtohej institucioni i Presidentit të Republikës, sepse nuk është Bujar Nishani institucioni i Presidentit të Republikës. institucioni i Presidentit të Republikës është institucioni i kreut të shetit shqiptar, dhe çdo njëri është i detyruar në kushtetutë të respektojë integritetin dhe dijnitetin e institucionin e kreut të shtetit shqiptar. Kjo reformë duhet të fillojë të implementohet sa më shpejtë të jetë e mundur, në mënyrë të tillë që ne të vëmë në lëvizje pikërisht këto mekanizma, që unë uroj dhe shpresoj që të jenë të shëndetshëm, të jenë të paanshëm, të jenë funksional, në interes të shtetit të së drejtës, të zbatimit të ligjit dhe barazisë së çdo qytetari, nga Presidenti i Republikës deri tek qytetari më i thjeshtë i Republikës sonë.

Ndërkohë, debat tjeter ka krijuar dhe ligji për importin e mbetjeve, i miratuar në kuvend të enjten e kaluar. Ka krijuar debat e zhurmë jo vetëm në opinionin publik, por edhe në politikën shqiptare. Kryeministri Rama thotë se me këtë ligj do të hapen një mijë vende pune. Ndërkohë, shoqëria civile ka paralajmëruar protesta masive duke nisur prej të shtunës. Cili është realisht mendimi juaj në cilësine e Presidentit dhe a do ta dekretoni këtë ligj?

Të jem i sinqertë, sensibiliteti i qytetarëve për çdo çështje është i rëndësishëm. Në të gjithë institucionet e shtetit, duhet në rradhë të parë të jenë të angazhuar, të ndjëshëm dhe të reagojnë ndaj sensibilitetit të qytetarëve, duke filluar nga sqarimet, padyshim edhe kontaktet, marja e informacioneve, dhe nëse është e nevojshme reagimi institucional brënda procesit legjistlativ po ashtu është e detyrueshme të reagohet. Por në kontekstin e ligjit konkret dhe të detajeve, unë duhet ta shoh ligjin sapo të kthehem në Tiranë, menjëhere me stafin tim, por edhe me specialistë të fushës dhe të së drejtës në Shqipëri, siç tashmë është bërë praktikë në institucionin e Presidentit të Republikës për ligje që kanë impakt të madh në të drejtën publike dhe tek jeta e qytetarëve. Do të mbaj edhe qëndrimin tim institucional. Por për mua prioriteti kryesor i shqetësimit ku unë do të kërkoj në vijimësi angazhimin e qeverisë, angazhimin e institucioneve ligjzbatuese dhe të gjithë aktorëve të shoqërisë, është shqetësimi i madh që ne kemi me kultivimin e kanabisit. Është një problem shumë serioz, një problem që nuk ka pse të mbetet vetëm në kuadrin e debatit politik – padyshim që çështjet e debatit politik kanë vendin dhe hapësiren e tyre – por kultivimi i kanabisit dhe inkurajimi përmes saj i veprimtarisë së krimit të organizuar, është një alarm i madh për gjithë shoqërine dhe shkon përtej interesit politik të njërës apo palës tjeter, por ëhtë një interes i madh kombëtar sepse lidhet drejtpërsëdrejti me çështjet e sigurisë kombëtare, stabilitetit të vendit, dhe në të ardhmen, qoftë të ekonomisë dhe sigurisë së jetës së qytetarëve, familjeve dhe fëmijëve tanë.

Ndërkohë, prej ditësh po flitet dhe për legalizimin e kanabisit. Ju si mendoni, a duhet legalizuar kanabisi – farmaceutik në këtë rast?

Unë mund të them vetëm kaq, që, në kushtet që ka Shqipëria, në kontekstin që është shoqëria shqiptare, për mënyrën sesi ky fenomen prezantohet në Shqipëri, nuk e teproj fare – përkundrazi, jam shumë i bindur se kërkesa për të legalizuar kanabisin në Shqipëri, në kontekstin shqiptar, është një tentativë për të kriminalizuar në tërësi shoqërinë shqiptare dhe për të bërë krimin vendimmarrës në jetën publike, politike dhe shoqërore në vend. Ndaj ky është një provokim i papranueshëm që i bëhet shoqërisë shqiptare dhe që padyshim është një provokim ku unë mendoj se nuk do të gjejë asnjë përkrahje tek shoqëria shqiptare dhe unë jam kategorik në qëndrimin tim personal në këtë çështje.