KRYEFAQJA » LAJME » Nishani në Baku: Ballkani Perëndimor ka nevojë për dialog dhe mirëkuptim
Presidenti Nishani në Forumin e 4-t Global të Bakusë

Nishani në Baku: Ballkani Perëndimor ka nevojë për dialog dhe mirëkuptim

Presidenti shqiptar Bujar Nishani mori pjesë në hapjen e Forumit të 4-t Global të Bakusë “Drejt një bote multipolare” si dhe në panelin e parë të këtij Forumi me temë: “Gjendja e botës sot dhe për çfarë kemi nevojë që të trajtojmë çështje më të mprehta nesër”.
Kreu i Shtetit Shqiptar u ndal në sfidat me të cilat përballet bota dhe vendet e Ballkanit Perëndimor si terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmit, ndryshimet klimaterike, si dhe flukset e paprecedenta migratore. Ai theksoi rolin e rëndësishëm që luajnë jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe komunitetet lokale dhe ato fetare në përballimin e këtyre kërcënimeve. Presidenti Nishani e njohu auditorin me eksperiencën e shkëlqyer të bashkëjetesës dhe tolerancës fetare që ekziston prej shekujsh në Shqipëri, duke theksuar se falë kësaj eksperience, por edhe si anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për në BE, sot Shqipëria është një aktore aktive në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Duke iu referuar eksperiencës së hidhur të së kaluarës së afërt, me konflikte të armatosura dhe urrejtje e spastrime etnike e fetare, Presidenti Nishani u shpreh se “Rajoni i Ballkanit Perëndimor më shumë se kurrë sot ka nevojë për dialog dhe mirëkuptim”. Presidenti theksoi gjithashtu se Shqipëria është e vendosur dhe e përkushtuar për të vijuar politikën e saj të pandryshuar në dobi të fqinjësisë së mire, dialogut dhe mirëkuptimit.
Zoti Nishani në ndërhyrjen e tij trajtoi shkurtimisht edhe çështjen e flukseve të paprecedenta migratore, dhe krizën që po përballojnë shumë vende ballkanike dhe fqinje të Shqipërisë, përmes së ashtuquajturës “Rrugë Ballkanike”. Ai tha se kjo situatë ka ndikuar ndjeshëm edhe në sigurinë dhe stabilitetin social të këtyre vendeve dhe të rajonit në përgjithësi. Zoti Nishani theksoi se “nisur nga eksperienca e hidhur me mbi 1 milionë refugjatë nga Kosova si rezultat i regjimit të Millosheviçit, por edhe nga kriza aktuale që vendet fqinje po kalojnë, duhet që zgjidhja të gjendet tek burimi i kësaj krize. Sa më shpejt aq edhe më mirë” tha ai.