KRYEFAQJA » LAJME » Presidenti Nishani pret komisionerin Hahn
Presidenti Nishani pret komisionerin Hahn

Presidenti Nishani pret komisionerin Hahn

Presidenti Bujar Nishani priti të mërkurën në një takim të veçantë Komisionerin për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, zotin Johannes Hahn, i cili gjendet në Tiranë në kuadër të tryezës së Dialogut të Nivelit të Lartë mbi përparësitë kyçe të reformave.
Zyra e shtypit pranë presidentit njofton me këtë rast se zoti Nishani i përcolli Komisionerit Han simpatinë dhe solidaritetin e qytetarëve shqiptarë me qytetarët evropianë dhe ata belgë mbi sulmet terroriste që ndodhën në Bruksel. Kreu i Shtetit e siguroi Komisionerin se populli shqiptar u qëndron përkrah në këto momente të vështira, por edhe mbetet i palëkundur në besimin ndaj lidershipit evropian.
Gjithnjë sipas zyrës së shtypit të presidentit, zoti Nishani gjatë takimit me zotin Hahn, vuri në dukje se zbatimi i reformave sipas udhërrëfyesit të përcaktuar nga Komisioni Evropian duhet të jetë prioritet i prioriteteve, përfshirë reformën në drejtësi, por edhe të katër prioriteteve të tjera që përfshijnë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, administratën publike, të drejtat e njeriut si dhe çështjen e pronës.
Duke u ndalur tek reforma në drejtësi, Presidenti Nishani evidentoi se mbetet i palëkundur në bindjen dhe mbështetjen e tij për një reformë që zhvillohet në suazën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe standardit evropian, si dhe se kjo reformë që kapërcen kufijtë e mekanizmave të sistemit të drejtësisë dhe përbën një reformë kushtetuese duhet të sigurojë medoemos jetëgjatësi. “Vullneti i palëve për të ecur në këtë trajektore mbetet kyç në këtë fazë të procesit”, tha Presidenti.
Kreu i Shtetit u ndal edhe tek çështja e pronës, si një e drejtë themelore, e cila është e lidhur pazgjidhshmërisht me fusha të rëndësishme të zhvillimit të vendit. Në këtë kontekst ai kërkoi një vëmendje më të madhe të Komisionit Evropian lidhur me këtë prioritet kyç, dhe veçanërisht ndaj ligjit të miratuar rishtazi në Parlamentin shqiptar, i cili zoti Nishani vlerëson se shkon përkundër standardit të vendosur nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Presidenti Nishani dhe Komisioneri Han diskutuan edhe mbi politikën rajonale të Shqipërisë, ku bashkëndanë vlerësimin e një kursi konstruktiv dhe kontribues për paqen, stabilitetin dhe bashkëjetesën harmonike në rajon. Kreu i Shtetit theksoi se ofrimi i një perspektive shpresëdhënëse për brezin e ri është një nga sfidat më madhore të vendeve tona, dhe se forumet rajonale qoftë në kuadër të Procesit të Berlinit, qoftë në kuadër të Procesit të Brdo-Brijunit dhe nismave të tjera rajonale kanë krijuar mundësinë e diskutimit serioz mbi këtë çështje prioritare për vendet e rajonit tonë, njofton zyra e shtypit të presidentit lidhur me takimin Nishani- Hahn.