KRYEFAQJA » LAJME » Presidenti Nishani pret nxënës e mësues nga Lugina e Preshevës
Presidenti Nishani pret nxënës e mësues nga Lugina e Preshevës

Presidenti Nishani pret nxënës e mësues nga Lugina e Preshevës

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti të dielën në mesditë një grup nxënësish dhe mësuesish nga Lugina e Preshevës të cilët gjenden në Shqipëri prej disa ditësh për vizitë. “Në këtë takim dëshiroj t’ju shpreh respektin dhe mirënjohjen time personale, por edhe atë në emër të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë për shqiptarët e Luginës për gjithçka ju dhe mbarë shqiptarët kanë arritur me punë dhe sakrifica të ruajnë dhe të mbajnë të pandryshuar identitetin e tyre kombëtar dhe kulturor” u tha atyre presidenti Nishani.
Ai shprehu shqetësimin e tij për fenomenin e braktisjes së trojeve shqiptare për shkak të kushteve jo të mira ekonomike e sociale dhe bëri thirrje për një angazhim më të madh të strukturave qeveritare shqiptare në respekt të kushtetutës për mbrojtjen e interesit kombëtar. Ndër të tjera Kreu i Shtetit nënvizoi se shqiptarët kudo që janë, përfaqësojnë një komb që kanë në ADN-në e tyre orientim perëndimor i cili e bën të domosdoshme përmirësimin e cilësisë së arsimit pasi ai është thelbësor për mbrojtjen e të drejtave dhe historisë së shqiptarëve.
Pjesëmarrësit në takim nga ana e tyre falënderuan presidentin Nishani për ftesën dhe mikpritjen e ngrohtë dhe vëllazërore, dhe nënvizuan se ky takim i parë dhe historik për ta me një president shqiptar i frymëzon më tej për të vijuar me misionin e tyre të lartë atdhetar të mësimdhënies.( Marrë nga ATSH)