KRYEFAQJA » LAJME » Presidenti Nishani pret presidentin hungarez Ader
Presidenti Nishani pret presidentin hungarez Ader

Presidenti Nishani pret presidentin hungarez Ader

94 vitet e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Hungarisë u shënuan me vizitën zyrtare të presidentit Hungarez Janosh Ader në Tiranë. Në konferencën e përbashkët për shtyp që pasoi takimin kokë më kokë të krerëve të shteteve dhe delegacioneve, presidenti Nishani dhe homologu i tij hungarez, u ndalën veçanërisht në rrugëtimin europian të Shqipërisë. Presidenti Ader premtoi avokati të fortë të vendit të tij ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në BE ç’ka për të është pikëmbërritja e pashmangshme e Shqipërisë.
Një ndër temat e diskutuara ishte dhe ajo e krizës së refugjatëve. Presidenti Nishani përforcoi angazhimin e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e zgjidhjes europiane brenda kapaciteteve të saj. Ndërsa, presidenti hungarez Ader u shpreh për nevojën e domosdoshme të mbështetjes strukturore dhe ekonomike ndaj Shqipërisë në rast të përballjes së saj me krizën e emigranteve.
Vizita e presidentit hungarez në Shqipëri konkludoi në disa marrëveshje në fushën e ekonomisë, arsimit e shkencës. Në funksion të forcimit të lidhjeve mes dy vendeve u fol për rivënien e një linje direkte ajrore mes Shqipërisë e Hungarisë dhe çeljen e dhomës hungareze të tregtisë në Tiranë.