KRYEFAQJA » LAJME » Presidenti Nishani u uron Kurban Bajramin besimtarëve
Presidenti Nishani u uron Kurban Bajramin besimtarëve

Presidenti Nishani u uron Kurban Bajramin besimtarëve

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u uroi sot Kurban Bajramin besimtarëve myslimanë. Presidenti beëri një vizitë në Selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar, ku u prit nga kryetari i këtij komuniteti, Haxhi Skënder Bruçaj.

Presidenti duke dhënë mesazhin e tij për këtë festë të madhe u shpreh se “Urimi në këtë ditë është shumë i thjeshtë, sepse është një urim që vjen nga zemra, vjen nga shpirti dhe është për të gjithë njerëzit, kështu që ne e kemi përshëndetjen dhe urimin me një fjalë shumë domethënëse siç është fjala: Gëzuar, përshumëvjet!

Dita e Kurban Bajramit përfaqëson dy dimensione: atë të Sakrificës dhe të ndarjes së të mirës me të tjerët. Të dyja këto vlera që Dita e Kurban Bajramit i përfaqëson dhe i promovon koinçidojnë si vlera shekullore edhe të shqiptarëve. Ne si popull dhe si komb kemi qenë një popull dhe një komb që në lidhje me Sakrificën kemi bërë shumë sakrifica në të shkuarën. Por nga tjetër, pavarësisht vështirësive dhe situatave që kemi kaluar, gjithmonë kemi qenë të gatshëm që atë të mirë, aq sa e kemi pasur, kemi qenë të gatshëm ta ndajmë me të tjerët dhe e kemi ndarë me të tjerët, të cilët kanë qenë në nevojë dhe në kërkim të ndihmës.

Kështu që këto janë parime gjithëshqiptare dhe sot gjej rastin të vlerësoj lart këto parime të mëdha që feja islame i përçon në mbarë njerëzimin dhe në mënyrë të veçantë dua t’u shpreh mirënjohjen time si qytetar, por edhe si President i Republikës, Komunitetit Mysliman Shqiptar, klerikëve myslimanë shqiptarë për punën e shkëlqyer që bëjnë çdo ditë për të përhapur këto vlera të mirësisë, të vëllazërimit, të respektit dhe të gatishmërisë që edhe përmes sakrificës të ndihmojmë atë që është më i pamundur, më i varfër, më pak i ndihmuar ndoshta nga fati në momente të caktuara. Kështu që edhe njëherë gëzuar këtë ditë të bekuar, këtë ditë të veçantë! Mbarësi gjithë Komunitetit Mysliman, të gjithë shqiptarëve! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë!”