KRYEFAQJA » LAJME » Presidenti Nishani uron me rastin e “Ditës Kombëtare të Nënë Terezës”
Presidenti Nishani uron me rastin e "Ditës Kombëtare të Nënë Terezës"

Presidenti Nishani uron me rastin e “Ditës Kombëtare të Nënë Terezës”

Presidenti shqiptar Bujar Nishani u ka uruar shqiptarëve në mbarë botën “Ditën Kombëtare të Nënë Terezës”, humanistes me origjinë shqiptare tashmë njohur botërisht si “Shën Tereza e Kalkutës”. “Dita e sotme për ne shënon një kremtim sa të rrallë, aq edhe të papërsëritshëm: Ditën Kombëtare të Nënë Terezës, e cila plot trembëdhjetë vjet më parë, në saje të kontributeve dhe veprave të saj mrekullibërëse të bamirësisë ndaj të varfërve, të sëmurve dhe njerëzve në nevojë në mbarë rruzullin, u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës” nga Papa Gjon Pali II” shkruan zoti Nishani në mesazh. Duke shprehur urimet më të përzemërta zoti Nishani fton shqiptarët të njihen “…më nga afër, të mësoni dhe t’i pasuroni edhe më tej përkujdesjet e vogla e të përditshme të kryera me përkushtim dhe ndjenjë të madhe dashurie nga shtatvogla, por vepërmadhja Gonxhe Bojaxhi!”. “Kjo Ditë e shënuar Lumturimi, por edhe festimi e përkujtimi i përbashkët që i bëjnë shqiptarët kudo ku ndodhen, pavarësisht se cilës fe mund t’i përkasim, sidomos tani pas shenjtërimit të Nënë Terezës më 4 shtator 2016 nga Papa Françesku, si dhe shpalljes Kardinal të Hirësisë së Tij Ernest Troshanit disa ditë më parë, na frymëzon të përulemi me respekt e përdëllim jo vetëm ndaj jetës e veprës së paharruar të Shenjtores sonë, por gjithashtu na mbush me ndjenjën legjitime të krenarisë më sublime mbarëkombëtare” shkruan në mesazhin e urimit presidenti Nishani  me rastin e “Ditës Kombëtare të Nënë Terezës”.