KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Presidenti turk Erdogan: Luftë të përbashkët kundër terrorit
erdogan

Presidenti turk Erdogan: Luftë të përbashkët kundër terrorit

Presidenti Rexhep Taip Erdogan, tha se për organizatat terroriste nuk ka asnjë ndryshim ndërmjet Stambollit dhe Londrës, Ankarasë dhe Berlinit, prandaj të gjitha shtetet duhet të zhvillojnë një luftë të përbashkët kundër terrorit. Presidenti Erdogan dha një deklaratë në lidhje me sulmin terrorist në Aeroportin Ataturk të Stambollit. Sulmi ka treguar edhe një herë fytyrën e errët të organizatave terroriste që kanë synim civilët e pafajshëm, tha Erdogan duke shtuar: “Ky sulm nuk ka qëllim të marrë ndonjë rezultat, objektivi i tij i vetëm është që nëpërmjet gjakut dhe dhimbjes së njerëzve të pafajshëm të prodhojnë materiale për propagandë në botë kundër vendit tonë”. Ai tërhoqi vëmendjen se sulmi që erdhi në muajin e bekuar të Ramazanit, tregon se terrori nuk përfill asnjë vlerë, përfshi këtu edhe besimin dhe vepron pa bërë diferencim mes viktimave. “Turqia në luftën e saj kundër organizatave terroriste, pavarësisht të gjitha atyre që ka kaluar, ka fuqinë, urtësinë dhe mundësinë për t’i shkuar deri në fund kësaj lufte. Sipas karakterit tradhtar të terrorit, bombat që shpërthyen në Stamboll, mund të kishin shpërthyer në çdo lloj qyteti dhe në çdo aeroport tjetër të botës”, tha Presidenti Erdogan. “Të gjithë duhet të jenë të bindur se për organizatat terroriste nuk ka asnjë ndryshim ndërmjet Stambollit dhe Londrës, Ankarasë dhe Berlinit, Izmirit dhe Çikagos, Antaljas dhe Romës. Prandaj në qoftë se të gjitha shtetet, i gjithë njerëzimi nuk kapet dorë për dore dhe nëse nuk zhvillojmë një luftë të përbashkët kundër terrorit, të gjitha ato mundësi që na vijnë në mendje për të cilat druhemi, do të ndodhin një e nga një. Shpresoj që sulmi në Aeroportin Ataturk, të jetë një epokë, një pikë kthese për një luftë të përbashkët kundër terrorit me gjithë botën dhe me në krye Perëndimin”, u shpreh Presidenti i Turqisë Erdogan.