KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Prezantohet aplikacioni i OSHEE Mobile
Prezantohet aplikacioni i OSHEE Mobile

Prezantohet aplikacioni i OSHEE Mobile

OSHEE prezantoi të enjten aplikacionin OSHEE Mobile, një risi teknologjike për të ndihmuar qytetarët të kryejnë shërbimet online. Me anë të aplikacionit OSHEE Mobile çdo përdorues i një telefoni “smart” mundet të regjistrohet për të patur llogarinë online pranë kompanisë; të kontrollojë konsumin dhe faturën mujore; të kryejë pagesa të faturave pa komision; të kryejë një kërkesë apo ankesë si dhe të ndjekë statusin e saj; të aksesojë portalin e punësimit dhe aplikojë për një vend pune pranë kompanisë.
Aplikacioni krijon mundësinë që të denoncohet çdo abuzim me të cilin ndeshet qytetari duke e shoqëruar denoncimin me fotografi dhe të dhëna konkrete. Qytetarët mund të shikojnë në hartë dhe informohen edhe mbi Qendrat e Kujdesit ndaj Klientit apo aktivitetet e produktet e Operatorit të Shpërndarjes.
Ministri Damian Gjiknuri, i pranishëm në këtë prezanim, tha se përmes rimëkëmbjes financiare të kompanisë dhe sektorit në tërësi, po bëhet e mundur që të kryhen investimet aq të domosdoshme si në infrastrukturën e rrjetit ashtu edhe në shërbimin ndaj konsumatorëve. “Këto investime janë shumë të rëndësishme pasi në qendër të tyre është klienti. Qytetarët e kanë mirëpritur investimin në teknologji dhe gjithnjë e më shumë po përdorin format alternative të pagesave dhe informimit” tha zoti Gjiknuri.
Ministri Gjiknuri ju përgjigj edhe akuzave të vazhdueshme të opozitës ndaj kompanisë OSHEE. “Ka patur shumë akuza politike ku thonë se paratë harxhohen kot. Investimet që po bën OSHEE në fakt janë një kursim si për qytetarët edhe për kompaninë” tha ai.
Administratori i OSHEE-së Adrian Çela tha se “Ky nuk është shërbimi i fundit pasi ne jemi duke punuar që së shpejti të ofrojmë të tjera produkte që lehtësojnë komunikimin me qytetarët”.