KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Prezantohet Bursa Bujqësore

Prezantohet Bursa Bujqësore

Në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit është prezantuar mekanizmi i mbikëqyrjes së tregut bujqësor, i njohur si Bursa Bujqësore. Për ministrin Edmond Panariti kjo bursë do të shërbejë për një vendosje të balancës mes prodhuesit dhe grumbulluesit, por edhe për qytetarin. Të interesuarit do të kenë mundësi të shohin dhe kontrollojnë në mënyrë transparente çmimet e produkteve bujqësore me shumicë , por edhe me pakicë. “Është një hap i parë duke tentuar të stabilizojmë një treg i cili ka vuajtur shumë nga kaotizmi, nga ofertat e çorganizuara në marrëdhënie jo korrekte midis prodhuesve dhe blerësve nga mungesa e transparencës” tha me këtë rast ministri Panariti.

Bursa do të funksionojë me 3 çmime për tre kategori të ndryshme të të njëjtit produkt. Sipas zotit Panariti “Prodhuesit duke negociuar me grumbulluesit për një periudhë të caktuar, që mund të jetë njëditore, dyditore, një javore, do të përcaktojnë ato që unë konsideroj si çmime të dakordësuara mbi bazën e ankandit, që do të jenë çmimet e referencës. Kuptohet, këto çmime do të jenë çmime që nuk mund të jenë kurrë poshtë kostos së prodhimit” shpjegoi zoti Panariti. Bursa Bujqësore do të jetë e aksesueshme nga të gjithë. Fillimisht ajo do të provohet në një nga zonat bujqësore të vendit për t’u shtrirë më pas në të gjithë vendin.