KRYEFAQJA » LAJME » Prezantohet projekti për sigurinë publike
Prezantohet projekti për sigurinë publike

Prezantohet projekti për sigurinë publike

Përdorimi i teknologjisë së avancuar, është thelbi i projektligjit për sigurinë publike i prezantuar të mërkurën nga Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Ai solli disa shëmbuj për të ndihmuar në kuptimin e projektligjit dhe synimeve të tij. Sipas zotit Tahiri vendosja e kamerave të sigurisë brenda në autobus do të ndihmojë policinë në hetimet për ata që vjedhin qytetarin. E njëjta gjë vlen edhe për taksitë, pikat karburantit, lokalet e natës, shkollat apo spitalet, ku rreziku për tu sulmuar nga keqbërësit është më i lartë. Ministri i rendit pranoi se policia është përgjegjësi kryesor për sigurinë publike, por tha ai nuk duhet harruar edhe përgjegjësia që ka e gjithë shoqëria. Zoti Tahiri kërkoi rritjen e bashkëpunimit me policinë si baza e sigurisë për gjithsecilin. Ai gjeti rastin të bënte një bilanc të punës së dikasterit që drejton, përkundër deklarimeve të opozitës për përkeqësim të situatës së rendit në Shqipëri. Ministri Tahiri tha se gjatë këtyre dy viteve “Janë ulur në minimumin historik vrasjet në vend. Që nga vitit 1991, ky është viti i parë kur kemi vrasje në minimumin e vet historik, krahasuar kjo dhe me vendet e rajonit dhe sigurisht dhe me ato europiane. Vrasjet janë sa gjysma e atyre që ndodhën vjet e akoma më tej, janë sa gjysma e gjysmës e dy viteve më parë” tha ai.