KRYEFAQJA » LAJME » Prishtinë, arrestimi i Albin Kurtit shoqërohet me tension
Prishtinë, arrestimi i Albin Kurtit shoqërohet me tension

Prishtinë, arrestimi i Albin Kurtit shoqërohet me tension

Policia e Kosovës ka ndaluar dhe më pas ka çuar si të pandehur në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ish liderin e Vetëvendosjes deputetin Albin Kurti. Kurti ka refuzuar të japë deklaratën e tij para prokurorit të rastit, i cili ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit. Ndalimi i Kurtit u bë pas protestës së opozitës më 28 Nëntor. Prokurori pretendon se, me protestën e sotme Kurti ka përsëritur veprën penale për të cilën akuzohet dhe ka qëndruar në arrati, duke shpërfillur kërkesën e Prokurorisë. Më parë për Albin Kurtin ishte lëshuar një urdhër arresti pasi konsiderohej si organizator i pengimit me dhunë të punimeve ne Kuvendin e Kosovës duke hedhur edhe bomba lotsjellëse. Departamenti për Krimet e Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës po e heton deputetin e Vetëvendsjes për veprat penale të “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, “përdorim të armës” dhe “pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave”. Prokuroria ka siguruar opinionin publik se është i vendosur që të respektojë të gjitha dispozitat ligjore për secilin rast, pavarësisht së kush është i dyshuar për vepër penale. “Çdo veprim do të bëhet duke respektuar dinjitetin e secilit individ, duke i trajtuar të gjithë në mënyrë të barabartë e të paanshme, përfshirë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe të arrestuarit e tjerë të sotëm”, bëhet e ditur në një komunikatë.
Ngjarja ka sjellë tensione në Prishtinë. Dhjetra aktivistë të Vetëvendosjes, që kishin rrethuar selinë e VV, i bënë thirrje policisë së Kosovës që të mos arrestojnë Albin Kurti, pasi në të kundërt do të përballen fizikisht me ta. Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë mbështetësit, ndërsa më pas edhe i kanë arrestuar. Forcat speciale kanë hyrë me dhunë në selinë e VV-së, ndërsa çdo person që ka penguar operacionin për arrestimin e Kurtit është arrestuar dhe shoqëruar në komisariat. Policia ka lëshuar një komunikatë për media ku njoftoi arrestimin e Albin Kurtit dhe 87 aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Policia e Kosovës ka rrethuar edhe ndërtesën e Qeverisë, përderisa aktivistë dhe udhëheqës të Lëvizjes Vetëvendosje janë duke qëndruar para objektit të Prokurorisë. Edhe Kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti i është bashkuar protestuesve para Prokurorisë aty ku mendohet se e kanë dërguar deputetin Albin Kurtin i arrestuar pak më herët nga Policia e Kosovës. Ahmeti tha se po qëndrojnë aty për të protestuar në mënyrë paqësore. “Nuk ka asnjë incident, do të qëndrojmë këtu në mënyrë paqësore”, tha ai.