KRYEFAQJA » LAJME » Prishtinë, nis konferenca “Siguria në Evropën Juglindore në kontekst të sfidave më të gjera rajonale”
Prishtinë, nis konferenca “Siguria në Evropën Juglindore në kontekst të sfidave më të gjera rajonale”

Prishtinë, nis konferenca “Siguria në Evropën Juglindore në kontekst të sfidave më të gjera rajonale”

Në Prishtinë që prej të martës ka nisur konferenca e tretë ndërkombëtare “Germia Hill”, e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, së bashku me Institutin Aspen.
Tema e konferencës është “Siguria në Evropën Juglindore në kontekst të sfidave më të gjera rajonale”. “Germia Hill”, ku po marrin pjesë 200 përfaqësues nga 40 vende të botës, synon që të ndihmojë Kosovën në promovimin e axhendës së integrimit në NATO, duke e përfshirë ate në debatet e rëndësishme të sigurisë rajonale.
Konferencën e hapi kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i cili tha se “Germia Hill” ka për qëllim që të jap kontribut thelbësor për temat që preokupojnë dhe angazhojnë diplomacinë dhe kancelaritë evropiane. Lidhur me faktin se sivjet më shumë se kurrë fokusi i opinionit ndërkombëtar kanë qenë çështjet e sigurisë, kryeministri Isa Mustafa tha se Kosova është një vend stabil, është vend i paqes, vend i komunikimit dhe bashkëpunimit të ngushtë mes komuniteteve tona, por edhe me fqinjët e saj.
“Kosova kurrë nuk ka qenë më shumë e ndërlidhur me familjen evropiane sesa që është tani. Ne kemi nënshkruar marrëveshjen tonë të parë kontraktuale me Bashkimin Evropian dhe me këtë Kosova është bërë një faktor i zhvillimit, faktor stabiliteti, faktor i dialogut me fqinjët, kontribuues i sigurisë dhe paqes në Ballkanin Perëndimor” tha zoti Mustafa.
Të mërkurën konferenca do të vazhdojë me panelin me temë “Sfidat globale dhe rolet e NATO-s dhe BE-së në Ballkanin Perëndimor”.