KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Pritet amnisti për taksat e papaguara të qarkullimit
Pritet amnisti për taksat e papaguara të qarkullimit

Pritet amnisti për taksat e papaguara të qarkullimit

Mbi 88 mijë drejtues mjetesh që rezultojnë debitorë pranë Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor, për shkak të mos pagimit të taksave vjetore, ka shumë mundësi të përfitojnë nga një amnisti që i është propozuar Ministrisë së Financave. Sipas hartuesve të kësaj amnistie bëhet fjalë për taksat e papaguara që nga viti 1999. Edhe në 2011, qeveria e asaj kohe ndërmori një amnisti për taksat vjetore të automjeteve nga e cila u tha se do të përfitonin rreth 140 mijë pronarë mjetesh të ndryshme transporti. Por sipas burimeve zyrtare shumica dërrmuese e tyre nuk jane paraqitur për çregjistrim apo rifutje në qarkullim të mjeteve, duke bërë që ata të rezultojne debitore për Taksën Vjetore të Mjeteve të Përdorura edhe për vitet 2011-2015. Sipas përllogaritjeve të Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor, vlera e taksave të papaguara për një vit është rreth 939 milion lekë, ndërsa për pesë vite është rreth 4.7 miliardë lekë, një shumë kjo mjaftë e konsiderueshme. Aktualisht, drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor ka ndërprerë shërbimet për drejtuesit e automjeteve që nuk kanë paguar borxhet e prapambetura. Atyre nuk u mundësohet terheqja e lejeve të qarkullimit, patentave ndërkombëtare, marrja e vertetimeve nga tatimet, si dhe shërbimeve të tjera, pa paguar detyrimet. Vendimi për amnistinë e kërkuar së fundi pritet të merret nga autoritetet e Ministrisë së Financave brenda dy javësh.
Ndërkohë është ringjallur debati sa herë qeveria ndërmerr amnisti të kësaj natyre. Shumë qytetarë mendojnë se më shumë përfitojnë shkelesit e ligjit se sa ata që e zbatojnë atë. Disa prej tyre me humor të hidhur pyesin se kur qeveria do të mendojë edhe për ata që zbatojnë ligjet.