KRYEFAQJA » LAJME » Pritshmëri të larta për Takimin e Suzhout
Pritshmëri të larta për Takimin e Suzhout

Pritshmëri të larta për Takimin e Suzhout

Në qytetin Suzhou të Kinës Jugore, nis të martën takimi dy ditor i udhëheqësve të Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore. Marrin pjesë kryeministri i Shqipërisë, Maqedonisë, Polonisë, Çekisë, Sllovakisë, Hungarisë, Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi, Rumanisë, Bullgarisë, Estonisë, Lituanisë dhe Letonisë. Sipas një sondazhi në web të qendrës së transmetimit për Rusinë dhe Europën Lindore në Radion e Jashtme të Kinës (CRI), pritshmëritë nga ky takim janë të mëdha. Pjesëmarrësit në sondazh shpresojnë që Kina dhe vendet e Europës Qendrore e Lindore do të forcojnë bashkëpunimin, për të nxitur zhvillimin ekonomik rajonal dhe për të krijuar më shumë vende pune, në favor të përmirësimit të jetës së popujve të këtij rajoni.
Sipas sondazhit mbi temat kryesore të këtij samiti, 60.1 për qind e të anketuarve përzgjodhën investimet dhe çështjet ekonomike tregtare. 66.7 për qind e të anketuarve mendojnë se vendet e ndryshme të Europës Qendrore e Lindore kanë epërsi koston e burimeve njerëzore, në krahasim me vendet e zhvilluara të Europës Perëndimore. Ndërkaq 58.1 për qind e të anketuarve mendojnë se pozicioni i favorshëm gjeografik mund të lidhë tërë kontinentin europian dhe krijon kushte më të favorshme për investimet kineze në Europë.
Në takimin dyditor, Kryeministri kinez Li Keqiang dhe udhëheqësit e 16 vendeve të Europës Qendrore e Lindore, do të zhvillojnë bisedime mbi bashkëpunimin dypalësh. Në këtë takim do t’i kushtohet rëndësi forcimit të lidhjes miqësore me përfitime të ndërsjella, tregtisë dhe investimeve, bashkëpunimit në fushën e financës, kontrollit të cilësisë së produkteve bujqësore, shkëmbimeve kulturore etj. Pas takimit, pritet të publikohet “Programi afatmesëm i bashkëpunimit 16+1” dhe “Programi i Suzhou-t”.