KRYEFAQJA » LAJME » Profesor Sami Repishti shpallet “Qytetar Nderi i Shkodrës”
Profesor Sami Repishti shpallet “Qytetar Nderi i Shkodrës”

Profesor Sami Repishti shpallet “Qytetar Nderi i Shkodrës”

Këshilli Bashkiak i Shkodrës, ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi i Shkodrës” profesorin shqiptaro-amerikan, Sami Repishti. Motivacioni është “Për mbrojtjen dhe pasqyrimin e vlerave qytetare dhe demokratike të bashkëqytetarëve tanë të Shkodrës si studiues, publicist dhe veprimtar i njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me qendresën përballë diktaturës dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve të Shkodrës, Shqipërisë, Kosovës dhe më gjërë, ai është bërë shëmbull frymëzues për bashkëkohësit e tij”.
Zoti Repishti u vlerësua nga folës të ndryshëm si udhëheqës i vërtetë i bashkësisë shkodrane dhe një lider i mirëfilltë i të gjithë shqiptarëve në procesin e emancipimit për nga liria, mbrojtja e institucioneve të saj.
Profesor Sami Repishti ishte kundërshtar i regjimit komunist, regjim që e dënoi me 15 vite burgim, nga të cilët bëri vetëm dhjetë vjet. I përndjekur vazhdimisht, ai arratiset në vitin 1959 dhe në 1962 emigron në SHBA, ku zhvillon një veprimtari të gjërë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve. Profesor Repishti luajti rol të dorës së parë në krijimin e tri organizatave shqiptare në SHBA; Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë, Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Megjithëse në moshën 90 vjeçare profesor Repishti vazhdon të frymëzojë me kthjellësinë e tij brezat e shqiptarëve në kërkim të një shoqërie më demokratike dhe më të drejtë.