KRYEFAQJA » LAJME » Projekti i Pazarit të Ri, nis ndërtimi i markatës

Projekti i Pazarit të Ri, nis ndërtimi i markatës

Pjesë e projektit të rikulifikimit të pazarit të ri në sheshin Avni Rustemi do të jetë edhe markata e re e peshkut edhe mishit, e cila do te jetë gati brenda vitit. Sot nisën punimet për ndërtimin e saj, në prani edhe të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe kryetarit të bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff. Ata vlerësuan ecurinë e punimeve në pjesën e parë të zbatimit të projektit dhe u shprehën të bindur për përfundimin e punimeve brenda afateve të përcaktuara. Projekti jo vetëm do ta kthej zonën në një atraksion turistik, por edhe do t’i japë vlerë tjetër gjithë pronave rreth Pazarit të Ri.Sipas kryebashkiakut markata do të funksionojë dhe menaxhohet sipas modelit të një prej tregjeve më të suksesshme londineze  ‘Borough Market’. Zbatimi i projektit të pazarit të ri nisi në muajin tetor. Kjo zonë do të kthehet në pedonale dhe për rehabilitimin e saj bashkia e tiranës po investon 1 milion dollarë, ndërsa 3 milion dollarë janë investim i fondit shqiptaro-amerikan të zhvillimit.