KRYEFAQJA » LAJME » Projekti i Sheshit “Skenderbej”, dëgjesë me banorë të njësisë administrative 11

Projekti i Sheshit “Skenderbej”, dëgjesë me banorë të njësisë administrative 11

Projekti i shndërrimit të sheshit Skënderbej në pedonale po u prezantohet të gjithë banorëve të Tiranës. Turi i dëgjesave ka vijuar në njësinë administrative 11, nga ku nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbajn Mazniku shprehu angazhimin e Bashkisë për të ndërhyrë dhe transformuar hapësirat publike nga duke nisur nga zonat mes pallateve e deri tek zonat e rëndësishme jo vetëm për banorët e Tiranës por dhe më gjerë, siç është sheshi “Skënderbej”.

Sheshi në fakt nuk është as i gjithë Tiranës, por është i gjithë Shqipërisë, shkon përtej logjikës për të qenë vetëm i banorëve që jetojnë në kryeqytet. Sheshi është vendi ku ndodhin vazhdimisht aktivitete të mëdha kombëtare, ku ndodhin mbledhje, tubime, pra ka një rol si një vend në të cilin ne si qytetarë nga gjithë vendi bashkohemi”, tha Mazniku.

Drejtori i Përgjithshëm i Urbanistikës, Ditjon Baboçi, solli në vëmendje një sërë studimesh të cilat kishin si pikë të përbashkët pikërisht kthimin e sheshit “Skënderbej” në pedonale.

Dua të përmend studimin e kryer nga Komisioni Evropian (2007), studimin e financuar nga BERZH (2009), studimin e kryer nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (2011-2012). Të gjitha studimet përputhen në një pikë, që sheshi ”Skënderbej” duhet të jetë një shesh për këmbësorët. Por, pa dyshim që për këtë, një sërë masash të tjera duheshin marrë, ku pjesa kryesore janë në një proces zbatimi dhe një pjesë e tyre edhe janë realizuar”, tha ai.

Dyshimeve për vështirësi në qarkullimin e automjeteve pas kthimit të sheshit në pedonale u dha përgjigje Drejtori i Transportit, Enton Punavija.

Jemi duke vlerësuar po ashtu të gjitha akset e tjera hyrëse, “Rrugën e Kavajës”, “Rrugën e Elbasanit”, “Rrugën e Dibrës”, Unazën ekzistuese të qytetit të Tiranës. Jemi duke marrë në analizë të gjitha nyjet, të gjitha kryqëzimet dhe mënyrën se si këto do të zgjidhen, me qëllim që të kompletojmë të gjithë infrastrukturën e nevojshme rrugore për të mundësuar një lëvizshmëri sa më të mirë në qytetin e Tiranës, për të dalë tek Unaza e Vogël e Tiranës”.

Ndërkohë punimet në shesh nuk do të kryhen njëkohësisht. Në mënyre të njëpasnjëshme do të ndërhyet në 11 lulishtet e parashikura.

Kjo është bërë për arsyen që edhe njerëzit gradualisht të mësohen me kthimin e këtij sheshi në pedonal dhe pa trafik makinash. Pra, gradualisht do të hiqet trafiku i makinave në shesh, hap pas hapi.

Punimet në sheshin skënderbej do të nisin në qershor dhe do të përfundojnë brenda 12 muajve.