KRYEFAQJA » LAJME » Projektligji i BKH, LSI e përshëndet, PD dyshuese
Projektligji i BHK, LSI e përshëndet, PD dyshuese

Projektligji i BKH, LSI e përshëndet, PD dyshuese

Reagime kontradiktore në politikën shqiptare, pasi qeveria bëri të ditur hollësi rreth përmbajtjes së projektligjit për krijimin e Byrosë Kombëtare te Hetimit.
LSI partneri kryesor në qeveri me socialistët deklaroi menjëherë mbështetjen e plotë. Nënkryetari i saj Petrit Vasili, njëherësh dhe kreu i grupit parlamentar, tha se “Ne e mbështesim plotësisht draftin, që sapo u miratua pak çaste më parë dhe mbështesim gjithashtu që ky konsensualitet, meqenëse të dy forcat politike PS-PD që kanë debatuar fort për këtë çështje, kanë pasur një shqetësim për këtë gjë, është shumë mirë që e kemi tashmë këtë draft-ligj të miratuar nga qeveria, të mbështetur edhe në përgatitjen e tij nga OPDAT-i. Tani çështja kryesore është të ecim sa më parë në zbatimin dhe në vënien e këtij ligji në funksionim” tha zoti Vasili.
Por një qëndrim të kundërt ka mbajtur PD në opozitë. Ndërsa një javë më parë kreu i saj Lulzim Basha këmbëngulte në miratimin e ligjit për BKH me procedurë të përshpejtuar, tani ai ka bërë një hap pas. “Sot, në mbledhje qeverie, kanë kaluar projektin e Byrosë Kombëtare. Është versioni i Byrosë nën Prokurorinë, siç e parashikon ‘Venecia’ në rekomandimin 90? Nëse po, atëherë iu përgjigjën ftesës sonë, ne i përgëzojmë dhe jemi gati të bashkojmë votat që nesër. Nëse jo, atëherë ky është një truk për të fituar kohë dhe për t’u hedhur hi syve publikut dhe ndërkombëtarëve” tha zoti Basha. Ndërkaq ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili ka ndikimin e vete të pa diskutueshëm në PD është kundër variantit që lidh BKH me Policinë e Shtetit.
Tashmë pritet seanca parlamentare e së enjtes ku si zakonisht palët shpalosin hapur qëndrimet e tyre.