KRYEFAQJA » LAJME » Prokuroria e Përgjithshme: Thirrja Berishës për armatosje, nuk përbën vepër penale
Prokuroria e përgjithshme paralajmëron ndryshime

Prokuroria e Përgjithshme: Thirrja Berishës për armatosje, nuk përbën vepër penale

Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur të mos nisi procedimin penal ndaj ish kreut të PD dhe ish kryeministrit Sali Berisha, pas thirrjeve të tij pak kohë më parë në parlament për armatosjen e shqiptarëve. Kallzimi ishte bërë nga një grup deputetësh të PS.
Në vendimin e Pokurorisë së Përgjithshme i cili i bë publik të dielën, vlerësohet se “fjalimi i të kallëzuarit, deputetit Sali Berisha në seancën plenare të datës 21.04.2016, është bërë në funksion të veprimtarisë dhe lirisë parlamentare. Fjala e mbajtur prej tij konsiderohet se janë pjesë e lirisë parlamentare të fjalës, mendimit dhe qëndrimeve, në ushtrim të mandatit të deputetit të garantuar dhe parashikuar nga neni 73 i Kushtetutës”. “Shprehjet e përdorura prej tij dhe të konsideruara nga kallëzuesit si të tilla që përmbajnë elementët e veprave penale të referuara, nuk mund të vlerësohen të shkëputura nga konteksi i fjalimit të mbajtur prej të kallëzuarit, deputetit Sali Berisha” vlerëson prokuroria. Sipas saj “…nuk mund të konsiderohet si vepër penale shfaqja e mendimit e bërë për armatosjen e popullsisë për të mbrojtur veten, familjen, pronën etj, në kushtet kur në vlerësimin e deputetit të kallëzuar, shteti i ka lënë të lirë kriminelët dhe në funksion të saj, sugjeron përgatitjen e një ligji të tillë që justifikon pajisjen e tyre me armë, duke marrë si shembull SH.B.A­të, të cilat e kanë të lejuar mbajtjen e armëve të zjarrit”. Për Prokurorinë e Përgjithshme “Pikëpamja, sipas të cilës shteti mund të lejojë pajisjen me armë e popullsisë në mënyrë ligjore, është një këndvështrim politik, i cili nuk është i ri, pasi ka eksperienca të tilla në vende të ndryshme të botës, përfshi këtu edhe SH.B.A­në, por kjo nuk do të thotë që ata politikanë të cilët e përqafojnë këtë kauzë duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore”. Mbi bazë të këtyre argumentave, të paraqitura në mënyrë të përmbledhur, Prokuroria e Përgjithshme vendosi mosfillimin e procedimit penal ndaj deputetit Sali Berisha.
Vendimi i Prokurorisë së Përgjitishme vjen në një moment kulmor të marrëdhënieve mes maxhorancës dhe opozitës dhe zhvillimeve politike në vend. Të hënën kryeministri dhe kreu i PS Edi Rama parashikohet të takohet me kreun e PD Lulzim Basha në një takim i cili pritet të vendosi rreth të ardhmes së Reformës në Drejtësi në Shqipëri.