KRYEFAQJA » LAJME » Prokuroria kërkon arrestimin e deputetit Prenga
Arratiset i kërkuari, ndalohen dy policë

Prokuroria kërkon arrestimin e deputetit Prenga

Për të tretën herë brenda një viti, prokuroria e përgjithshme i kërkon parlamentit shqiptar  leje për arrestimin e një anëtari të tij. Pas deputetëve të maxhorancës Tom Doshi dhe Mark Frroku, këtë rradhë kërkohet arrestimi i deputetit Armando Prenga, po nga rradhët e maxhorancës. Deputeti Prenga u arrestua nga policia në flagranc të premten duke u gdhirë e shtunë, pasi u përfshi në një konflikt me armë për çshtje pronësie dhe ku shtatë persona u plagosën, ndërsa 40 u ndaluan. Prokuroria e përgjithshme në kërkesën e firmosur nga kreu i saj Adriatik Llalla, e akuzon deputetin Prenga për konsumimin e elementëve të veprave penale; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Kanosje”, të parashikuara nga nenet 278/4, 88, 84 e 25 të Kodit Penal.
Pritet që pasditen e së dielës të mblidhet Këshilli i Mandateve i parlamentit shqiptar, ndërsa një ditë më vonë do të mbahet seanca plenare e sesionit të vjeshtës, ku dhe do të votohet kërkesa e Këshillit të Mandateve për deputetin socialist.
Nisur nga deklarimet e udhëheqësve të maxhorancës rreth ngjarjes, nuk ka dyshim që kërkesa e prokurorisë për arrestimin e deputetit Prenga, do të miratohet. Madje kreu socialist dhe kryeministri Rama ka shkruajtur në Fejsbuk: “Përshendes prokurorinë, tani të heqim urgjent imunitetin e deputetit që ka punë me drejtësinë! ‪#‎ToleranceZero‬ për këdoqoftë që shkel ligjin”. Por ngjarja do të shërbejë si një rast për shkëmbim polemikash mes maxhorancës dhe opozitës lidhur me dekriminalizimin e politikës shqiptare, temë mjaftë e rrahur gjatë kohëve të fundit, veçanërisht në prag të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit. Pak ditë më parë opozita bëri të ditur se ka paraqitur në parlament një projektligj që synon ta miratojë brenda muajit shtator.
Në historinë e parlamentit pluralist shqiptar, është hera e dytë që një anëtar i tij arrestohet në flagrancë. Përpara deputetit Armando Prenga, ka qenë një tjetër deputeti socialist, Gafur Mazreku, i cili është arrestuar pasi ka qëlluar dhe plagosur në sallën e parlamentit deputetin e PD Azem Hajdari, në shtator të vitit 1997.