KRYEFAQJA » LAJME » Prokuroria përfundon hetimet për kopshtin “Diren”, dërgon për gjykim Anjeza Shabanin

Prokuroria përfundon hetimet për kopshtin “Diren”, dërgon për gjykim Anjeza Shabanin

Drejtueja e kopështit “Diren”, Anjeza Shabani, do të përballet në gjykatë me akuzat e “Keqtrajtimit të të miturve” si dhe për “Fshehje të të ardhurave”. Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim Shababin, e cila në një video të trasmetuar në media shfaqej duke rrahur fëmijën në kopshtin që drejtonte. Dy veprat të ngritura ndaj saj parashikojnë dënim me burg. Për “Keqtrajtimin e të miturve”, parashikohet dënim me burg nga 2 deri në 5 vjet. Kur të miturit i shkaktohet dëmtim i rëndë i shëndetit, dënimi shkon nga 10 deri në 20 vjet burg. Ndërsa “Fshehja e të ardhurave” dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Sipas prokurorisë Shabani jo vetëm nuk ka pasur licencën përkatëse dhe nuk është regjistruar në organet tatimore, por edhe ka keqtrajtuar fizikisht dhe psikologjikisht fëmijët që frekuentonin kopështin në fjalë. Për shkak të veprimeve të saj të dhunës, fëmijëve R.A., A.K. dhe E.K. i janë shkaktuar dëmtime fizike. Në të treja rastet, e pandehura në mënyrë sistematike ju ka shkulur veshin, flokët, pickuar, gjuajtur në gjithë trupin, bërtitur, fyer dhe në një rast edhe mbuluar kokën me çarçaf këtyre fëmijëve.
Në të treja rastet, prindërit e fëmijëve kanë konstatuar shenja dhune dhe konkretisht të nxira në kofshë dhe në shpinë, çka i ka detyruar të largojnë fëmijët nga ky kopësht. Arsyetimet e Shabanit për shenjat kanë qenë se “ata janë zënë me fëmijë të tjerë”.