KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Protagonistët e “Shok”: “Mbarë bota foli për Kosovën dhe historitë e Kosovës”
Protagonistët e "Shok": "Mbarë bota foli për Kosovën dhe historitë e Kosovës"

Protagonistët e “Shok”: “Mbarë bota foli për Kosovën dhe historitë e Kosovës”

Filmi “Shok”, një bashkëprodhim kosovaro – britanik, me regji dhe skenar të Jamie Donoughue, nuk ka arritur të shpallet fitues i çmimit prestigjioz Oscar, në kategorinë e filmit më të mirë të shkurtër, “Live Action Short Film”. Protagonistët kryesorë të filmit mes dëshpërimit dhe krenarisë, premtojnë se me një bashkëpunim të dytë do të çojnë në Kosovë çmimin Oskar. “Faleminderit të gjithëve që na mbështetët. Jemi të dëshpëruar që nuk mundëm të sillnim Oskar. Dhamë maksimumin. E rëndësishme është se këto ditë mbarë bota foli për Kosovën dhe historitë e Kosovës, kjo është shumë me rëndësi. Do kishim dashur të sillnim dhe trofenë por shpresojmë që herën tjetër ne të tre do e sjellim Oskarin në Kosovë” thanë ata përmes një video mesazhi. Filmi është i vendosur gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kur vendi ishte nën okupimin e Serbisë. Këtu sprovohen kufijtë e miqësisë mes dy fëmijëve të cilët luftojnë për të mbijetuar gjatë luftës në Kosovë.
“Shok” ishte në garë me filmin e Eric Dupont dhe Basil Khailil “Ave Maria”, “Day One” me regji të Henry Hughes, “Everything Will Be Okay”, nga Patrick Vollrath dhe “Stutterer” nga Benjamin Cleary dhe Serena Armitage. Mediat ndërkombëtare dhe shumë kritika shkruanin se “Ave Maria” ishte konkurrenti më i fortë favorit i filmit “Shok”, por që asnjëri prej tyre nuk fituan. Kjo kategori u rrëmbye nga Benjamin Cleary dhe Serena Armitage me filmin “Stutterer”.