KRYEFAQJA » LAJME » Protesta e PD, Rama: Ç’shëmti e trishtueshme!
Protesta e PD, Rama: Ç'shëmti e trishtueshme!

Protesta e PD, Rama: Ç’shëmti e trishtueshme!

Kryeministri socialist Edi Rama, ka reaguar pas protestës së dhunshme të opozitës. Në rrjetin social Fejsbuk ai shkruan: “Ç’shëmti e trishtueshme, mu në Ditën Kombëtare të Rinisë, të shohësh PD-në e sotme të mbytur në pellgun e një vandalizmi mizerabël, teksa kujton lëvizjen studentore që shembi regjimin komunist e i dha jetë vetë Partisë Demokratike, pa thyer asnjë xham.
Ç’shëmti e trishtueshme të krahasosh protestat e zemrave plot dritë, pasion, qytetari, ironi e humor të 25 vjetëve më parë, me këtë shfaqje të vobektë të politikës së ngjirur të PD-së, e cila sot përpëlitet mes baltës së mendjeve të errëta të ShQUP-it dhe një tufe të verbërish të cilët shajnë në hava, thyejnë xhama kot me kot, ndezin zjarre kuturu e dëmtojnë qorrazi, pronën publike në mes të bulevardit të Shqipërisë.
Ç’shëmti e trishtueshme të shohësh 25 vjet pas krijimit të saj si forcë e shpresës, besimit dhe vullnetit europian te shqiptarët, një PD të katandisur në hije të vetvetes, që shpresën e vdekur përpiqet ta ringjallë me sharje; besimin e humbur rreket ta rifitojë me gurë e shishe benzine mbi investimet publike; vullnetin europian të shqiptarëve kujton se e mishëron duke shkatërruar dy instalacione të artit urban – me të njëjtën egërsi primitive që do t’i digjte e shkatërronte në fakt dhe fatkeqësisht edhe regjimi komunist.
Keqardhje e sinqertë për të verbërit e shkrete që s’dinë se ç’bëjnë me gurë e hekurishte nëpër duar.
Neveri për politikën e ngjirur të një Partie Demokratike në shthurrje të vazhdueshme, pa vizion, pa lidership, pa asnjë alternative qeverisëse dhe, fatkeqesisht, edhe pa asnjë lidhje me kohën europiane të Shqipërisë e as me endrrat, shpresat, problemet e hallet e sotme të shqiptarëve.